Lidhje

Kontigjenti i ISIS-it mbetet shqetësues, edhe pas fitoreve të fundit


F
F

Në pamje të parë, shifrat e operacioneve të koalicionit të udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik dëshmojnë një sukses të dukshëm. Kalifati i vetë-shpallur që dikur sundonte mbi hapësira të mëdha në Siri dhe Irak është ngushtuar në 300 km katrorë në Sirinë lindore, thonë zyrtarët ushtarakë.

“ISIS është çorganizuar,” thotë Gjenerali francez Frederic Parisot, i cili drejton operacionet civile-ushtarake për koalicionin. “Vetëm disa qindra luftëtarë të ISIS-it” mendohet se mbeten në operim, tha ai për gazetarët të martën.

Megjithatë ende ka shqetësime të shumta dhe mendohet se këto shifra nuk reflektojnë realitetin dhe se forcat luftarake të ISIS janë më të shumta në numër dhe më të afta se ç’thuhet në raportet e zyrtarëve.

“Edhe një luftëtar i vetëm i ISIS është më shumë se ç’duhet,” tha Parisot.

Zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë dyshime për numrin real të luftëtarëve të ISIS-it dhe hezitojnë të japin shifra konkrete.

“Ata vazhdojnë të kryejnë sulme,” tha një ushtarak i lartë amerikan për Zërin e Amerikës. “Nuk diskutohet që ISIS vazhdon të gëzojë kapacitet”.

Përllogaritja e Rrezikut

Përllogaritja e numrit të ushtarëve të ISIS-it dhe kërcënimit që ata përfaqësojnë ka qenë prej kohësh e vështirë. Në 2015, kur ISIS ishte në kulmin e tij, zyrtarë ushtarakë dhe të zbulimit amerikan përllogarisnin se ISIS kishte rreth 33 mijë luftëtarë, duke shtuar se kjo shifër mund të ishte më e vogël se numri aktual dhe se ky ishte një kontigjent konstant për muaj me radhë, ndërkohë që zyrtarët amerikanë thonë se të paktën 50 mijë luftëtarë të ISIS-it janë vrarë nga goditjet ajrore të koalicionit.

Zyrtarët nënvizonin aftësinë e këtij grupi për të rekrutuar. Gjatë një periudhe ISIS ishte në gjendje të furnizonte radhët e tij me 2 mijë luftëtarë të rinj në muaj, gjë i jepte mundësi të ruante një kontigjent konstant.

Por analistë të pavarur shpesh kanë vënë në pikëpyetje shifrat zyrtare duke thënë se në realitet këto shifra ishin shumë më të larta.

“Nuk besoj se dihet me siguri numri, por më duket se shifra prej disa qindra luftëtarësh është shumë e vogël. ISIS-i nuk është më në kulmin e forcës që gëzonte më parë, por gjithashtu nuk është një forcë e pakonsiderueshme,” thotë Thomas Joscelyn, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Përllogaritjet e pavarura flasin për qindra luftëtarë të ISIS-it të angazhuar në luftime me forcat e mbështetura nga SHBA në kufirin Siri-Irak, si dhe 7 mijë deri në 9 mijë luftëtarë të tjerë brenda Sirisë.

Zyrtarët amerikanë thonë se përllogaritja me saktësi e numrit të luftëtarëve të ISIS-it është e vështirë, pasi shumë prej tyre zhduken nga radarët dhe shndërrohen në celula pasive që presin momentin e duhur për sulme.

“Edhe në anën irakiane të kufirit, në zona që konsiderohen të çliruara nga ISIS, vazhdon të ekzistojë sfida për të verifikuar praninë e ISIS-it,” thotë për Zërin e Amerikës Christopher Maier, drejtor i Taks-Forcës së Pentagonit për Shkatërrimin e ISIS-it.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG