Ndërsa Iraku shënon përvjetorin e parë të fitores ndaj Shtetit Islamik, në ish-bazat e grupit terrorist janë duke u shtuar tensionet, ndërsa vazhdojnë sulmet dhe forcat e sigurisë kryejnë operacione thuajse të përditshme kundër militantëve. Banorët lokalë druhen se militantët e fshehur në shkretëtirë dhe nëpër male kanë marrë guxim nga vrasjet e kohëve të fundit; ata paralajmërojnë se grupi mund të rigjallërohet, nëse nuk merren masa për trajtimin e çështjeve si tensionet sektare dhe pabarazia ekonomike.
Në gropën gjigande Khafsa mendohet të jenë hedhur në një varr masiv rreth 10 mijë trupa të viktimave të grupit Shteti Islamik. Kur ky grup terrorist u dëbua nga rajoni, miltantët shpërndanë atje kaq shumë bomba, saqë autoritetet nuk presin t’i gjejnë trupat e tyre së shpejti e ndoshta kurrë.
“Janë trupa të ushtarëve, punonjësve qeveritarë e civilë. Ata i vranë këtu, shumë të tjerë i kanë vrarë në rajonin përreth dhe në qytetin e Mosulit.”
Rrugët për në Khafsa janë të ndaluara për kalimtarët, por banorët që jetojnë në fshatrat përreth thonë se nuk kanë frikë nga bombat.
"Ne e dimë ku ndodhen eksplozivët dhe nuk kemi frikë. Por shqetësohemi nga kthimi i militantëve, prandaj jemi armatosur.”- thotë një bari.
Ndërsa Iraku shënon përvjetorin e parë të fitores ndaj ISIS-it, ky grup nuk i ka rimarrë qytetet që dikur i kishte nën kontroll.
Por dhuna vazhdon. Një raport i ri nga Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare, thotë se ISIS ka kryer mesatarisht 75 sulme në muaj gjatë vitit 2018, siç ishte ai me makinë bombë muajin e kaluar në një nga restorantet më popullore, ku u vranë 8 vetë dhe u plagosën mbi 20 të tjerë.
Banorët thonë se sulmet e kohëve të fundit kanë tronditur ndjenjën e sigurisë që po shtohej Mosul, dikur kryeqyteti de-facto i ISIS-it në Irak.
“Ata shkuan të hanë në restorant dhe tani janë të vdekur.”- thotë një dëshmitar i sulmit.
Analistët thonë se nuk janë marrë ende masa të rëndësishme për vendosjen e paqes afatgjatë. Lagje të tëra janë të rrafshuara, dhuna sektare vazhdon të shtohet dhe shkretëtira e gjerë e Irakut mbetet një vend ku strehohen ekstsremistët, të cilët në një formë apo një tjetër, kryejnë sulme ndaj qeverisë irakiane që nga ndërhyrja amerikane e vitit 2003, që rrëzoi nga pushteti diktatorin Saddam Hussein.
Facebook Forum