Udhëheqësi i grupit militant Shteti Islamik, ka folur pas një heshtjeje prej gati një viti, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që të qëndrojnë dhe duke paralajmëruar "ditë të errëta" për armiqtë e tij.
Media e grupit, al-Furqan, publikoi fjalimin 54 minutësh për të cilin pohon se është i Abu Bakr al-Baghdadit, me titullin "jepi lajmet e gëzueshme të duruarit".
Në fjalim ai përgëzon për festën e Kurban Bajramit dhe u bën thirrje mbështetësve të IS-it që të mos heqin dorë.
"Për muxhahidinët, shkalla e fitores apo humbjes nuk varet nga një qytet apo fshat i rrëmbyer apo nga ajo se kush ka epërsi ajrore, raketa ndërkontinentale apo bomba të zgjuara", tha Baghdadi në regjistrim.
Ai u tha mbështetësve se janë Shtetet e Bashkuara dhe jo IS-i që po shkatërrohen.
“Me hirin e Allahut, po jetojnë periudhën më të rëndë të historisë së tyre bashkëkohore", tha ai, sipas një përkthimi të kryer nga grupi i zbulimit SITE.
Ai u bëri thirrje mbështetësve në perëndim që të kryejnë të ashtuquajturat "sulme të ujqërve të vetmuar", në mënyrë që "kryqtarët të ndjejnë flakët e tyre".
"Kryeni një sulm që copëton zemrat e tyre, ose me armë zjarri, ose një goditje me thikë në trupat e tyre ose një bombardim në vendet e tyre, sepse kjo është e barabartë me njëmijë operacione këtu", tha ai. "Mos harroni t'i shtypni nëpër rrugë".
Zyrtarët amerikan të ushtrisë dhe zbulimit, janë njoftuar me regjistrimin, por duket të vërtetojnë nëse zëri është i Baghdadit.
Por, analistët e kontaktuar nga Zëri i Amerikës besojnë se zëri është autentik dhe aktual, duke vënë theksin tek përgëzimet për Kurban Bajramin, referimin tek tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë për shkak të arrestimit të pastorit Andrew Brunson dhe luftimet ndërmjet IS-it dhe forcave siriane.
“Ky material ka për qëllim të shpallë se Baghdadi është gjallë", tha Michael S. Smith II, analist i terrorizmit që ka specializuar në çështjet e ndikimit të IS-it nëpërmjet propagandës në internet.
Hera e fundit kur mbështetësit e IS-it dëgjuan nga Baghdadi, ishte në shtator të vitit 2017 dhe që atëherë heshtja e tij nxiti pikëpyetjet nëse është ende gjallë, nëse është ende në krye të grupit dhe ku mund të jetë i fshehur.
Zyrtarët amerikanë dhe ata të koalicionit kundër IS-it thonë se grupi ka humbur 98 për qind të territorit që kontrollonte dikur dhe pjesa e mbetur e luftëtarëve të tij mund të ndodhet në lindje të Sirisë. Raportime të tjera lënë të kuptohet që ndonëse kalifati i vetëshpallur i IS-it nuk është më, grupi ka ende forca luftuese dhe burime financiare.
Më herët gjatë këtij muaji, Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se IS-i mund të ketë mbi 14 mijë e 50 luftëtarë vetëm në Siri.
Një raport i Kombeve të Bashkuara, bazuar në shërbimet e zbulimit të shteteve anëtare, paralajmëroi se "pavarësisht dëmtimit të strukturave burokratike të të ashtuquajturit kalifat, disiplina kolektive e (IS-it) është e paprekur." Raporti i OKB-së theksoi gjithashtu se raportimet për vdekjen e Bagdadit ishin të parakohshme.
Me gjithë pikëpyetjet rreth fatitë të Bagdadit, duket se disa prej anëtarëve të familjes së tij janë vrarë. Agjencia e lajmeve e grupit, Nashir, raportoi në muajin korrik se djali i kreut të IS-it vdiq duke kryer një sulm vetëvrasës kundër forcave ruse në qytetin perëndimor sirian të Homsit.
Facebook Forum