Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Globi i Artë spikati mbrëmë nga ngjyra e zezë që mbizotëronte ndër veshjet e grave pjesëmarrëse. Ishte një zgjedhje e qëllimtë për të shprehur solidaritet me organizatën “Time’s Up” – “Mbaroi Koha”, që ka marrë mbi vete misionin për të luftuar ngacmimet seksuale në Hollivud dhe më gjerë në vendin e punës.
Ceremonia e mbrëmshme ishte aktiviteti i parë ceremonial që zhvillohej në Los Anxhelos që kur plasën skandalet për sjellje të papërshtatshme seksuale. Fillimisht New York Times botoi në tetor të vitit të kaluar akuza për abuzim, deri edhe në përdhunim, që kishin vazhduar prej dekadash nga Harvey Weinstein, një producent i njohur i Hollivudit.
Prezantuesi Seth Meyers e hapi ceremoninë me një seri batutash lidhur me skandalet:
“Mendoj se duhet të flasim për elefantin që s’e kemi në dhomë. Harvey Weinstein nuk është sonte këtu. Kam dëgjuar se është i çmendur dhe i vështirë në relata pune. Por mos u shqetësoni, do të kthehet pas 20 vjetësh kur njerëzit të irritohen duke parë montazhin në kujtim të tij pas vdekjes”.
Aktorja, producentja dhe prezantuesja e mirënjohur televizive Oprah Winfrey u nderua me çmimin Cecil B. DeMille për karrierën e saj. Në fjalën që mbajti me rastin e çmimit, ajo kujtoi edhe një vajzë të re afrikano-amerikane e cila ishte përdhunuar nga një grup djemsh të bardhë shtatëdhjetë vjet më parë:
“Ata që u përpoqën ta shkatërrojnë nuk u ndoqën kurrë penalisht. Racy Taylor vdiq 10 ditë më parë, pak para se të mbushte 98 vjeç. Ajo jetoi si të gjithë ne, në një klimë të zhbërë nga burra të fuqishëm e brutalë. Për një kohë tepër të gjatë askush nuk i dëgjonte apo besonte gratë nëse guxonin të thonin të vërtetën para këtyre burrave të fuqishëm. Këtyre burrave u ka mbaruar koha. U ka mbaruar koha”.
Një numër aktoresh kishin ardhur në ceremoninë e çmimeve të shoqëruara nga aktiviste për barazi gjinore e racore.
Fryma që përshkoi mbrëmjen u ndje edhe në realizimet që fituan çmim mbrëmë, ku spikasnin filmat me gra me karakter të fortë si personazhe kryesore. “Lady Bird” fitoi në kategorinë e komedisë më të mirë. Ndërsa, “3 billboards outside Ebbing, Missouri” mori çmimin e mbrëmjes si drama më e mirë.
Edhe aktoret në rolet kryesore në këto filma fituan mbrëmë.
Shoqata e Gazetarëve të Huaj të Hollivudit organizon Çmimet Globi i Artë, që nderojnë arritjet më të mira të vitit të kaluar në film dhe television.
Facebook Forum