Senati amerikan miratoi të hënën në mbrëmje të emëruarën e Presidentit Donald Trump për në Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson njofton lidhur me votimin e rëndësishëm që ndodhi pak më shumë se një javë para ditës së zgjedhjeve.
Në praninë e Presidentit Trump, Gjykatësja Amy Coney Barrett bëri betimin si anëtare e gjykatës më të lartë në vend.
"Ajo është një nga njohëset më të mira të ligjit në vend dhe do të jetë një anëtare e jashtëzakonshme në gjykatën më të lartë të vendit tonë", tha Presidenti Trump.
Me një votim 52-48 të hënën, Senati konfirmoi gjykatësen 48-vjeçare, nënë e shtatë fëmijëve dhe katolike e devotshme për të plotësuar vendin e mbetur bosh nga vdekja e gjykatëses Ruth Bader Ginsburg muajin e kaluar. Të gjithë republikanët, përveç një senatoreje e mbështetën zonjën Barrett. Anëtarët e partisë së presidentit e quajtën atë një kandidate të kualifikuar.
“Sonte, ne vendosim një grua me aftësi dhe temperament të pashembullt në Gjykatën e Lartë duke hedhur një hap tjetër historik drejt një gjyqësori që përmbush rolin e tij me përsosmëri", tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell.
Por të gjithë demokratët u shprehën kundër saj, duke argumentuar se tani që votimi i hershëm për zgjedhjet presidenciale ka filluar, procesi për konfirmimin e zonjës Barrett ishte shumë pranë ditës së zgjedhjeve.
“Shumica republikane e Senatit vendosi të mos përfillë vullnetin e njerëzve dhe të konfirmojë një emërim të përjetshëm në Gjykatën e Lartë në mes të zgjedhjeve presidenciale. Tani që kanë votuar më shumë se 60 milionë amerikanë. Le të hyjë në histori që sonte, shumica republikane do të thyejë një precedent 231 vjeçar dhe do të bëhet shumica e parë që konfirmon një anëtare të Gjykatës së Lartë kaq pranë zgjedhjeve“, tha senatori Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës.
Demokratët janë të shqetësuar se gjykatësja Barrett çimenton një shumicë konservatore 6-3 në gjykatë.
"Rastet që mund të rrezikohen nga gjykatësja Barrett në Gjykatën e Lartë mbulojnë një gamë të gjerë çështjesh, çështje të cilat së bashku prekin jetët e qindra miliona amerikanëve, që nga kujdesi shëndetësor, te arsimi, mbrojtja e konsumatorit e deri te barazia në martesë", tha senatori demokrat Chris Coons.
Por gjatë një procesi konfirmimi katër-ditor, zonja Barrett u tha ligjvënësve se ajo nuk do të sillte një axhendë personale në vendimet gjyqësore - duke u vlerësuar nga anëtarët e lartë republikanë në Komisionin e Drejtësisë.
"Gratë e reja konservatore amerikane, të cilat janë pro jetës dhe përqafojnë besimin e tyre, tani do të kenë një zë që dëgjohet. Kjo është historike. Ky emërim është i veçantë. Është një përparim për gratë e reja konservatore", tha senatori Lindsey Graham.
Gjykatësja Barrett do të dëgjojë pothuajse menjëherë çështje të rëndësishme - përfshi një sfidë ndaj ligjshmërisë së një ligji të kujdesit shëndetësor të administratës Obama që siguron mbulim shëndetësor për miliona amerikanë - si dhe sfida të mundshme mbi numrin rekord të fletëve të votimit të hedhura me postë në zgjedhjet e vitit 2020.
Facebook Forum