Lidhje

Një trupë me aktore gra në filmin Ocean’s 8


Një trupë me disa nga aktoret më të njohura të Hollivudit luan në filmin e ri “Ocean’s 8” – realizim i regjisorit Gary Ross mbi planet për të grabitur një objekt shumë të çmueshëm në rrethana thuajse të parealizueshme. Ocean’s 8 i ri dallon nga tradita e mëparshme kur filmat me këtë subjekt realizoheshin me një trupë meshkujsh, siç ishte realizimi “Ocean’s 8” i vitit 1960 me Frank Sinatra dhe Dean Martin dhe “Ocean’s 11” i vitit 2001 me aktorët George Clooney dhe Brad Pitt.

Gary Ross, regjisor i filmit të suksesshëm “Hunger Games” thotë se e kishte kuptuar se ishte momenti i duhur për një film me protagoniste gra.

"E kuptova se nuk kishte pasur më parë një ansambël të tillë. Asnjëherë nuk ka pasur një film ku në qendër të subjektit janë një grup grash që marrin përsipër një grabitje të tillë. Ka plot filma me protagonistë meshkuj. Pra mungesa e një filmi të tillë u bë nxitje edhe më e madhe për mua”.

Shtatë gra vihen nën udhëheqjen e Debbit për të vënë në jetë planin e saj.

Pesë vjet, tetë muaj dhe dymbëdhjetë ditë – aq kohë ka kaluar Debbie Ocean në burg për falsifikim veprash arti. Ajo është motra e personazhit Dany Ocean të interpretuar nga George Clooney në filmin “Ocean’s 11”.

“Ajo është ideatorja. Është rritur në një familje grabitësish. Detyra e saj është të gjejë grupin e duhur që do të realizojë plaçkitjen,” thotë aktorja Sandra Bullock, e cila interpreton Debbie Ocean në film.

Regjisori Gary Ross nga ana e tij ka zgjedhur një grup aktoresh dinamike të mirënjohura në karrierën e tyre artistike. Kate Blanchett interpreton personazhin Luo në film, shoqe dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Debbit; Helena Bonham Carter luan një stiliste të falimentuar që pranon të përfshihet në këtë grabitje pasi gjendet në një pikë dëshpërimi; Rihana interpreton hakeren e grupit që arrin të sabotojë kamerat e sigurisë në Muzeun e Artit në Nju Jork. Humoristja Mindy Kaling është argjendarja e aftë që di si të çmontojë varësen e çmueshme që do të vjedhë grupi.

Megjithëse synimi kryesor është grabitja e varëses së firmës Cartier me vlerë 150 milionë dollarë, komploti është edhe një lojë sedre për të dëshmuar se mund ta realizojnë një vjedhje bombastike të një objekti kaq të mbrojtur nën sytë e gjithë botës në ballon më të famshme të Nju Jorkut.

Subjekti parashikon një grabitje gjatë Ballos së Kostumeve në Muzeun Metropolitan të Artit ku ekipi realizues xhiroi për dy javë. Ekipi realizues nuk është kursyer në detaje për të sjellë madhështinë dhe ndriçimin e ballos.

Aktorja Anne Hathaway është perfekte në rolin e Daphne Kluger, një aktore kapriçoze dhe vanitoze.

“Daphe është disi vajzë e shfrenuar, shumë e dhënë pas interesit vetjak. Është vërtetë kënaqësi të luash rolin e një aktoreje, nga një botë që unë e njoh shumë mirë, por që shpresoj se unë si individ jam shumë ndryshe nga personazhi”.

Ocean’s 8 është një film i përsosur për stinën e verës: një argëtim për syrin dhe një aventurë kinematografike që gërsheton rrezikun, hakmarrjen, shoqërinë besnike dhe një thesar kolosal nëse heroinat e filmit arrijnë ta realizojnë planin e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG