Lidhje

Filmi At Any Price


Regjisori Ramin Bahrani dhe aktori Dennis Quaid dalin para publikut me një dramë të re me titull At Any Price, “Me çdo kusht”, që paraqet mbijetesën e një familjeje në zonat rurale të Amerikës mes fermave gjigande dhe monopoleve të farërave.

Fermeri nga Ajova, Henry Whipple, i ka parasysh rreziqet dhe asgjë nuk e ndal për të shtuar fitimet.

Partneri i tij i biznesit ka vdekur dhe i biri i dëshpëruar nuk është i predispozuar të merret me pronën e të atit. Henry është i gatshëm ta blejë pjesën e tij.

Sjellja e pamëshirëshme e Henry-t nuk e lejon të bëjë miq. Por siç e tregon edhe titulli i filmit, At Any Price, “Me çdo kusht”, ngjarja ka të bëjë me mbijetesën ekonomike, cilado qoftë kostoja e saj.

I biri i ish partnerit dhe e shoqja nuk janë në gjendje ta menaxhojnë pjesën e tyre të fermës dhe janë gati t’ia shesin Henrit me çmimin e tregut prej 8 mijë dollarë për akër.

Regjisori Ramin Bahrani, djalë imigrantësh iranianë, e shikon Amerikën si një vend dinamik imigrantësh që rritet përmes rivlerësimit të vazhdueshëm të vetvetes. Filmi pasqyron idenë se rritja vjen nëpërmjet përpjekjeve. Regjisori i filmit dhe aktori kryesor, Dennis Quaid, shpjegojnë për Zërin e Amerikës mesazhin e filmit.

"... si edhe në film, zona e thellë amerikane nuk është një vend romantik. Aty banojnë njerëz të zgjuar që kontrollojnë artikujt dhe çmimet me telefon dhe nëse ndodh ndonjë trazirë politike në Kinës, për shembull, ata janë gati të dryshojnë drejtimin e biznesit të tyre”.

Dennis Quaid e paraqet në disa plane Henry Whipple, një person që ka humbur orientimin. Marrëdhëniet e tij me të birin janë duke u prishur.

Edhe martesa e tij është lëkundur. E shoqja e Henry-t e akuzon për marrëdhënie me një grua tjetër, gjë që ai e mohon kategorikisht.

"Ai ka vizionin e gjërave siç ishin më parë, në mendjen e tij ai ka vizionin romantik të familjes fermere. Por presioni nga biznesi i madh e ka bërë të implikohet në disa praktika korruptive. Ai paraqet në pamje një person plot vetbesim, duke fshehur çfarë realisht ndjen. Ai ndjen se po humbet shpirtin e tij”.

Agjenti i korporatës së farërave vjen për t’i kontrolluar faturat.

Henry i mbijeton kontrollit të një korporate që dyshon se ai i rishet farërat e saj të patentuara.

"Në fund të filmit, Henry paraqitet si një fermer që ka arritur gjithçka ka dashur, por në të njejtën kohë diçka e ndjek”.

Filmi i Ramin Bahranit, At Any Price, “Me çdo kusht”, shfrytëzon një mjedis rural për të trajtuar kushtetet njerëzore.
XS
SM
MD
LG