Pandemia e koronavirusit e transformoi brenda natës botën e artit në gjithë globin. Një nga zhanret që po vuan direkt ndikimin e realitetit të ri, është opera. Një formë arti që i planifikon sezonet me vite përpara tani po mundohet të përballojë sfidën dhe të përshtatet. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me një nga yjet e operas botërore, sopranon e famshme shqiptare, Ermonela Jaho, për përvojën e saj personale dhe profesionale në këtë kohë të pasigurt.
Për Ermonela Jahon, çdo gjë u transformua sa hap e mbyll sytë. Një mbrëmje marsi bënte prova në Francë për operan “Adriana Lecouvreur”. Një anullim dhe mori avionin e fundit për në Nju Jork.
Anullimet. e tjera pasuan: Traviata në Montecarlo, Iris në Madrid, Madame Butterfly në Londër, La Boheme në Paris…
Sopranoja me famë botërore thotë se një situatë e tillë tregon sesa i brishtë është profesioni i artistit.
“Ti përpiqesh, përpiqesh, ëndërron, ndoshta në mënyrë edhe pakëz …nuk e di … je në një botë tjetër ku çdo gjë është e bukur mund të them dhe në atë moment çdo gjë mbaron”, thotë ajo.
Është hera e parë për Ermonelën që kalon një kohë kaq të gjatë pa dalë në skenë dhe në fillim e mirëpriti shansin për një pauzë.
“Thashë ‘do kem pakëz pushim’ të paktën ditët e para, ngaqë aktiviteti im është kaq intensiv dhe pa ekzagjerim, mbi 300 ditë të vitit unë jam larg familjes, larg shtëpisë. Gjithmonë nga një teatër në tjetrin, nga një aeroport në tjetrin”.
Por me kalimin e kohës…
“E shoh që njeriu nuk ka nevojë vetëm për ushqimin e përditshëm, por edhe për ushqimin shpirtëror mund të them.”
Kjo e bën edhe të vlerësojë çdo moment.
“Me kalimin e kohës kam kuptuar që është shumë e rëndësishme të jetosh çdo moment sikur të ishte momenti yt i fundit, dita jote e fundit. Dhe gjithmonë e thoja këtë. Edhe sa here dilja kohët.e fundit në skenë, në fund që shfaqjes, puthja gjithmonë skenën, se ndoshta thoja ky është momenti i fundit”.
Ndërprerja kaq e gjatë, ashtu si edhe për profesione të tjera, sjell për artistët edhe pasiguri financiare.
“Dhe një realitet që po e prek me dorë me shumë dhimbje mund të them, është që teatrot do të jenë të fundit për të cilët do të ketë kujdes nga ata që vendosin, nga politika etj,etj dhe flas për gjithë botën dhe do të jenë institucionet e fundit që do të hapen”, thotë ajo.
“Unë jam me fat sepse kam punuar gjithë këto vite dhe në një farë mënyre mund t’ia lejoj vetes që edhe të rri disa muaj pa punuar por ka disa kolegë të mi që jetojnë me familjet e tyre me atë pagën, me atë çekun çdo muaj dhe imagjinojeni se çfarë problemi u krijon këtyre artistëve”.
Ermonela thotë se është është një krizë për teatrot sepse nuk flitet vetëm për një artist. Pas atij artistit solist, ke role të tjera më të vogla, ke 100 veta kor, 100 veta në orkestër .
“Jemi përpjekur të mbështesim njëri-tjetrin përmes peticioneve. Dhe ky është një mësim tjetër që kjo pandemi na e ktheu mbrapa. Që ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe solidariteti që deri dje na tingëllonte pakëz anakronik është çelësi – nuk po them i lumturisë – por i jetuarit në harmoni të gjithë së bashku, sidomos në këto momente kaq të vështira”, thotë ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i Operas Kombëtare të Uashingtonit, Timothy O’Leary, i cili është edhe Kryetari i Bordit i Opera America i thotë Zërit të Amerikës se humbja e të ardhurave nga biletat në kompanitë operistike në Shtetet e Bashkuara ka arritur deri tani në mbi 100 milionë dollarë.
“Kjo përkthehet direkt në humbje të të ardhurave, përballimin e jetesës së njerëzve që bëjnë art”.
Zoti O’Leary thotë se si për çdo industri që mbështetet tek grumbullimi i madh i njerëzve, kjo periudhë ka qenë shumë sfiduese, sepse e gjithë përvoja e operas është një komunikim direkt mes artistëve dhe publikut.
“Energjia e audiencës ushqen energjinë e artistit në një opera. Artistët krijojnë një tingull të jashtëzakonshëm që është një vibrim që përshkon ajrin dhe arrin në veshin dhe trupin e atyre që janë të pranishëm dhe kjo e aktivizon emocionin”, thotë zoti O’Leary.
Artistët dhe menaxherët e kompanive operistike kanë gjetur mënyra inovative, si ofrimin e shfaqjeve të kaluara në faqet e tyre të internetit, interpretim të artistëve secili më vete, por duke krijuar një ansambël së bashku. Por Zoti O’ Leary thotë se të gjithë mezi presin të rikthehen përsëri shfaqjet dhe se është e rëndësishme që të vihet në perspektivë kriza aktuale.
“Opera ka qenë në skenë për 400 vjet. Gjatë kësaj kohe ka pasur 163 epidemi dhe pandemi. Po sigurisht kjo e sotmja është më e thellë për shkak të mënyrës se si ka ndryshuar botën dhe kulturën tonë”.
Ermonela po bën maksimumin që të ruajë pozitivitetin dhe rutinën në këtë realitet të ndryshuar, duke bërë stërvitje fizike dhe duke bërë prova çdo ditë sikur sezoni të ishte i pandërprerë.
Shpresa e saj është të rikthehet në skenë në shtator me rolin e Antonias në Përrallat e Hofmanit, por askush nuk është i sigurt se çfarë forme do të marrin shfaqjet.
Por ndërsa është në shtëpi në Nju Jork…
“Kujdesem jashtë mase për familjen. Siç jam në skenë shumë e dhënë, ashtu jam e dhënë edhe kur jam në shtëpi. Merrem me të gjitha gjërat pa përjashtim. Unë kam qejf ta rregulloj shtëpinë, të gatuaj.”
Ajo kalon kohë edhe me nipërit, djemtë e vëllait që jeton pranë dhe kriza e koronavirusit e shqetëson edhe personalisht sepse vëllai punon në spital. Po ashtu lexon shumë dhe merret me studimin e gjuhëve që të komunikojë me artdashësit në gjuhën e tyre.
Ndërsa e intervistoj, vë re se vesh një fustan me një dizenjo të veçantë dhe e pyes për kuriozitet.
“Është një fustan nga stilistja jonë e mirënjohur, Mirela Nurçe Krijimet e së cilës unë i kam veshur gjithmonë, por ky është i veçantë, sepse ka vizatime të bëra nga fëmijë me autizëm ose si të thuash me një ngjyrë ndryshe në këtë buqetën e madhe të humanitetit.”
Ermonelës i mungojnë shumë gjëra si artiste.
“Por të mos harrojmë mbi këtë: të vëmë dhe të qenurit mesdhetar, mbi këtë vëmë edhe të qenurit shqiptar, ballkanas. Më mungojnë ato përqafimet shtrënguese që ne thua sikur po mbysim njëri tjetrin, por nga dashuria”, thotë ajo.
Dhe natyrisht…
“Më mungon publiku, më mungon jashtë mase. Më mungon skena. Unë flas dhe prekem, imagjinoje sa e vështirë është, por jemi të gjithë kur i thonë në të njëjtën anije të këtij oqeani të pandemisë dhe do përpiqemi të bëjmë më të mirën, duke menduar në mënyrë pozitive”, thotë ajo.
Facebook Forum