Qyteti historik kinez Xi'an ka qenë dikur kryeqyteti i 13 dinastive perandorake. Por sot, ashtu si çdo qytet metropolitan modern kinez, ai është duke konkurruar për mundësi në mes të ngadalësimit të përgjithshëm ekonomik, përballë një mori qytetesh të tjera që janë duke bërë të njëjtën gjë. Por në rastin e Xi'anit, disa shqetësohen se qyteti mund të jetë duke u përpjekur për të bërë shumë dhe për më tepër, shpejt.
Me mure masive të qytetit të vjetër dhe atraksione të tjera, turizmi ka qënë për një kohë të gjatë burimi kryesor i ekonomisë së qytetit Xi'an. Por qyteti i lashtë, që ndodhet në zemër të Kinës, synon shumë më tepër.
Xi’an është një qytet i nivelit të dytë me ambicje të nivelit të parë. Ai kërkon të bëhet qendra informatike e Kinës dhe po punon për të zhvilluar industritë kryesore që nga farmaceutika deri tek bateritë e makinave elektrike. Dhe në mes të ngadalësimit ekonomik, qendra tregëtare masive si kjo, ende po shfaqen.
Disa qendra po tregojnë shenja jete. Të tjera janë aspirata ekonomike boshe.
Me një stil modern, qyteti restauroi këtë fabrikë të vjetër tekstilesh, por dyqanet përpara mbeten bosh.
Më ndryshe duket tregu i mëndafshit në rrugën Wenyi – shtylla e këtij qyteti që ishte dikur një pikënisje e Rrugës së Mëndafshtë. Por, edhe këtu ka shenja të ngadalësimit.
"Zakonisht ne ndihmojmë dyqanet e tjera kur kemi mundësi, por këtë vit biznesi ka qënë i ngadaltë," thotë një banore.
Megjithatë, aty pranë, vazhdojnë të ndërtohen ndërtesa moderne.
Mo Shuo ka shitur këpucë në tregun Kangfu për gati dy dekada. Ai thotë se ngadalësimi ekonomik ka përgjysmuar shitjet.
“Të gjitha shitjet janë ndikuar. Dikur njerëzit dilnin për pazar. Tani blejnë në internet dhe rrinë në shtëpi,” thotë zoti Shuo.
Përballë këtij dyqani, ndodhet një tjetër treg bosh.
Ekonomisti Wang Ye thotë se duhet një strategji e mirë. Ai thotë se autoritetet po bëjnë përparim në përmirësimin e mjedisit dhe kapacitetit teknologjik.
Ai vë në dukje hapjen nga Samsungu të një fabrike elektronike në qytet si një sukses të madh.
Por, ai shton se janë bërë gjithashtu gabime në kostot e planit të zhvillimit dhe ato duhet të mënjanohen.
“Modeli i qytetit satelit është shumë më i mirë. Kur ke një qendër të qytetit dhe pastaj shumë hapësirë në mes për mjedis dhe pyje. Këtu është krijuar një model i mbingarkuar,” thotë zoti Ye.
Zoti Wang shton se shumë mbështeten në idenë se ndërtimet do të sjellin zhvillim. Mund të duket mirë dhe të sjellë të ardhura fiskale thotë ai, por ky është një model zhvillimi sipërfaqësor.