Lidhje

Vazhdojnë protestat në Egjipt


Demonstruesit egjiptianë që kërkojnë kthimin në pushtet të Presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi vazhduan të sfidojnë paralajmërimet e autoriteteve dje. Helikopterë të policisë hodhën fletushka mbi demonstratën më të madhe dje në Kairo, ku thuhej se protestuesit janë bërë pengje psikologjike të Vëllazërisë Myslimane dhe i bëhej thirrje protestuesve të ktheheshin në shtëpi.

Nganjëherë është e vështirë të dëgjohen helikopterët që fluturojnë mbi kokat e protestuesve, nga thirrjet e opozitës kundër ushtrisë dhe policisë. Disa burra mbanin këpucët në duart e ngritura në drejtimin e helikopterëve, një gjest që në Egjipt tregon mungesë respekti.

Helikopteri lëvizte mbi turmën duke hedhur fletushka me një mesazh nga Ministria e Brendshme. Në fletushka thuhej se policia nuk do të cënonte askënd që largohej në atë moment dhe forcat e sigurisë do t’i mbronin nga organizatorët e protestës.

Por ata që janë mbledhur në kampet e protestave për më shumë se një muaj me thirrjet për kthimin në pushtet të zotit Morsi thonë se nuk duan t’ia dinë për fletushkat dhe do të vazhdojnë protestat deri kur të përmbushen kërkesat e tyre.

Studenti 24-vjeçar Ahmed Abdullah thotë se nuk do të largohet nga kampi deri kur zoti Morsi, i cili tani mbahet nga ushtria egjiptiane, të kthehet në post dhe të riaktivizohet kushtetuta.

Zoti Morsi u rrëzua nga posti nga ushtria më 3 korrik pasi egjiptianët dolën në protesta masive me thirrjet për heqjen e tij. Kritikët thonë se pas zgjedhjes së zotit Morsi vjet, ai e shfrytëzoi autoritetin e tij për të dobësuar institucionet e reja demokratike dhe krijoi përplasje me gjykatat, ushtrinë dhe popullatën.

Disa protestues thonë se rrëzimi i zotit Morsi nga posti ka fuqizuar mbështetjen për Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon të përfshijë besimin fetar në qeverisje. Mahmudi, specialisht kompiuterash, thotë se fletushkat mund të nxisin më shumë protestues të bashkohen në mbështetje të Vëllazërisë Myslimane.

“Numri i njerëzve është rritur. Ne mblidhemi këtu të vetëdijshëm se mund të vdesim, por Zoti na ka premtuar se po vdiqëm për fenë tonë, do të shkojmë pranë Perëndisë”.

Në fletushka, Ministria e Brendshme akuzon organizatorët e protestave për vrasje dhe nxitje dhune. Qindra vetë janë vrarë në përleshje që nga 3 korriku dhe ka shqetësime se do të ketë trazira të dhunshme nëse autoritetet përpiqen të heqin kampet e protestuesve.
XS
SM
MD
LG