Lidhje

“Caffe Lena” qendër e muzikës folklorike


Saratoga Springs, në veri të Nju Jorkut, ndodhet larg qyteteve të njohura të Amerikës për muzikë, si Nashvilli, Austin, Los Anxhelos dhe madje edhe larg vetë qytetit të Nju Jorkut. Por gjatë pesë dekadave të fundit, një kafene e vogël ka organizuar mijëra koncerte të muzikës folklorike dhe akustike dhe ka ndihmuar shumë artistë të njohur amerikan të nisin karrierën e tyre. Kronika në vazhdim na njeh punën e kafenesë “Caffe Lena” e cila sipas pronarëve të saj është kafeneja më e vjetër folklorike në Shtetet e Bashkuara.

Sonte është hera e parë që grupi The Stray Birds do të interpretojë në kafenenë “Lena”. Oliver Cravens dhe dy shokë të tij e formuan grupin folklorik dy vjet më parë.

"Është një nder të jemi në të njëjtën skenë me disa nga njerëzit që gjithmonë na kanë frymëzuar të merremi me muzikë. Ne do të jemi të kënaqur të interpretojmë përsëri në Caffe Lena."

Lena Spencer dhe burri i saj Bill hapën kafenenë në vitin 1960. Bill, dy vjet më vonë u largua, por Lena mbajti dyert hapur deri në vdekjen e saj në vitin 1989. Steve Kovacik filloi të interpretonte 27 vjet më parë, dhe që atëherë ka qenë menaxher i kafenesë.

"Me muzikantët Lena ishte shumë inkurajuese, por edhe rigoroze. Nëse interpretuesit në skenën kryesore nuk interpretonin mirë, ajo nuk ishte e kënaqur."

Pas vdekjes së Lena Spencer, Caffe Lena u bë një organizatë jo-fitimprurëse. Të gjithë punëtorët janë vullnetarë. Sarah Craig, drejtore e organizatës, ka drejtuar klubin që nga viti 1995.

"Kur ajo vdiq, të gjithë e kuptuan se, pavarësisht se u mungonte Lena, ata thjesht nuk mund të lejonin mbylljen e klubit. Pra, ata u organizuan për të paguar borxhet që kefeneja kishte në atë kohë, dhe morën statusin ligjor të një organizate jo-fitimprurëse."

Për mbi 50 vjet, Caffe Lena ka prezantuar mijëra muzikantë të muzikës folklorike për audiencën. Këngëtari dhe kantautori Bob Dylan është një nga shumë artistët që më pas fituan famë dhe pasuri.

"Mendoj se në këtë pikë reputacioni i klubit është i tillë që në qoftë se ju doni të interpretoni në qarqet e muzikës folklorike në Shtetet e Bashkuara, ky është një nga ato vende që duhet interpretuar."

Një libër dhe një disk i ri tregon historinë e klubit dhe trashëgiminë e Lena Spencer. Ato janë rezultat i kërkimeve të gjera nga Jocelyn Arem, e cila për herë të parë vizitoi klubin si studente e muzikës.

"Më kujtohet ngjitja në shkallët e kafenesë me kitarën time mbi shpatulla dhe ndjenja se ky vend kishte një histori shumë më të madhe se ç’doja të dija. Kam regjistruar mbi 150 intervista gjatë një periudhe 10 vjeçare me muzikantë në mbarë vendin dhe kam mbledhur rreth 6 mijë fotografi për librin."

Jocelyn Arem gjithashtu ka gjetur audio kaseta që kishin regjistrime prej 7 mijë orësh në kafene nga fillimi i vitit 1960 deri në ditët e sotme. Ajo i ka dorëzuar kasetat në Bibliotekën e Kongresit, ku Todd Harvey është specialist i folklorit amerikan.

"Ne jemi mirënjohës që është mbledhur një dokumentacion i tillë i mrekullueshëm. Këto do t’u mundësojnë studiuesve të shohin dekadat e interpretimit të muzikës tradicionale dhe kompozimit të këngëve bashkëkohore dhe vërtetë të kuptojnë se si këto zhanre të muzikës së asaj koha kanë evoluar në Shtetet e Bashkuara."

Pranë kafenesë ndodhet rruga Lena Lane, duke përkujtuar klubin dhe themeluesen e saj që u bë një legjendë e qytetit.

“Ky është një vend i veçantë. Kultivimi i talentëve të rinj është ende një pjesë e rëndësishme e misionit të kafenesë. Shpresoj që kjo të vazhdojë përgjithmonë."
XS
SM
MD
LG