Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, e shpalli fajtor dhe e dënoi me burgim të pëjetshëm ish-komandantin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç.
Ja një kronologji e konflikteve të Ballkanit në vitet 1990 që shpërbënë ish-Jugosllavinë.
Mosmarrëveshje pas vdekjes së Titos
Jugosllavia komuniste që u shfaq si shtet pak pas Luftës së Dytë Botërore, përbëhej nga gjashtë republika: Sllovenia, Kroacia, Serbia, Bosnjia, Mali i Zi dhe Maqedonia.
Pas vdekjes se udhëheqësit të saj autokratik Josip Broz Tito në vitin 1980, federate jugosllave u zhyt në krizë, me mosmarrëveshje mes grupeve etnike dhe ndjenjave në rritje nacionaliste.
Në kohën e rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, tensionet ndëretnike në Jugosllavi kishin arritur kulmin. Zgjedhjet e para shumëpartiake në republika në vitin 1990, u fituan kryesisht nga nacionalistët.
Republikat më të zhvilluara, Sllovenia dhe Kroacia, filluan të mbronin idenë e një decentralizimi më të madh të qeverisë jugosllave.
Por republika më e madhe, Serbia, e udhëhequr nga Sllobodan Milosheviç mobilizoi serbët në gjithë Jugosllavinë, në një përpjekje për kontroll të centralizuar.
Sllovenia dhe Kroacia shpallin pavarësinë
Më 25 qershor 1991, parlamentet e Sllovenisë dhe Kroacisë shpallën pavarësinë, që solli si rezultat dislokimin e ushtrisë jugosllave të Beogradit në kufijtë dhe aeroportet e prekur.
Pas një konflikti 10 ditor, ushtria u tërhoq nga Sllovania me popullsi homogjene.
Por në Kroaci, trupat serbe mbështetën kryengritësit serbë që ishin kundër pavarësisë, duke filluar kështu një luftë që zgjati katër vjet.
Qyteti lindor i Vukovarit u rrafshua gjatë një rrethimi nga forcat jugosllave në vjeshtën e vitit 1991, ndërsa qyteti mesjetar i Dubrovnikut mbi Adriatik, u dëmtua rëndë.
Referendumi i Bosnjës
Në Bosnje, republika më e larmishme nga pikëpamja etnike dhe fetare, me 4 milionë banorë, myslimanët dhe kroatët organizuan një referendum për pavarësinë.
Kjo lëvizje u kundërshtua ashpër nga serbët e Bosnjës që mbështeteshin nga Beogradi, që përbënin mbi 30 për qind të popullsisë.
Ndërsa serbët bojkotuan votimin, 60 për qind e qytetarëve të Bosnjës votuan për pavarësinë.
Lufta e Bosnjës
Në prill 1992, shpërtheu lufta mes myslimanëve dhe kroatëve nga njëra anë dhe serbëve të Bosnjës nga ana tjetër. Bosnja fitoi njohjen ndërkombëtare një ditë më pas.
Nën udhëheqjen e Radovan Karaxhiçit dhe të armatosur nga ushtria serbe, serbët e Bosnjës deklaruan se territoret nën kontorllin e tyre i takonin një njësie të quajtur Republika Serbe.
Shumë shpejt kroatët e Bosnjës u kthyen kundër myslimanëve të Republikës.
Rrethimi i Sarajevës
Trupat serbe të Bosnjës filluan menjëherë rrethimin e kryeqytetit boshnjak të Sarajevës që zgjati 44 muaj.
350 mijë banorët e qytetit nuk arrinin dot të siguronin nevojat bazike dhe të paktën 10 mijë u vranë nga snajperat dhe bombardimet serbe.
Në maj 1992 serbët e Bosnjës, kontrollonin dy të tretat e Bosnjës.
Spastrim etnik
Në gusht, imazhet e para të të burgosurve që ishin bërë kockë e lëkurë në kampe, i hapën sytë botës për fushatën e spastrimeve etnike nga forcat serbe.
Rreth 20 mijë gra, kryesisht myslimane, u përdhunuan.
Masakra e Srebrenicës
Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës morën kontrollin e “zonës së sigurt” të mbrojtur nga Kombet e Bashkuara të Srebrenicës në Bosnjen lindore dhe masakruan deri në 8 mijë djem dhe burra myslimanë.
I cilësuar nga dy gjykata ndërkombëtare si genocid, masakra ishte vrasja masive më e rëndë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Goditjet ajrore të NATO-s dhe marrëveshja e Dejtonit
Në gusht 1995, pas rënies së Srebrencisës dhe bombardimit të një tregu në Sarajevë, ku u vranë 41 vetë, NATO-ja ndërmori goditje ajrore ndaj pozicioneve të serbëve të Bosnjës.
Më 21 nëntor 1995, pas tre javësh bisedime në Dejton të Ohajos, në Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit e Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë ranë dakord të nënshkruan një marrëveshje paqeje.
Në dhjetor 1995, një forcë paqeruajtëse e NATO-s u dislokua në Bosnje, që ishte ndarë në një federate myslimano-kroate, në 51 për qind të territorit dhe një entitet serb, Republika Serbe.
Konflikti i Kosovës
Në vitin 1998 shpërtheu lufta në Kosovë mes shqiptarëve që donin pavarësinë dhe forcave të armatosura serbe.
Luftimeve u erdhi fundi në vitin 1999, pas një fushate bombardimesh ajrore prej 11 javësh nga NATO-ja, në fund të së cilës kishin humbur jetën 13 mijë vetë dhe qindra të tjerë kishin braktisur shtëpitë e tyre.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga mbi 110 vende. Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e saj.
Shënim për sistemin e drejtësisë për krimet e luftës
Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë e ngritur në vitin 1993, ka vazhduar të ndjekë penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës që nga përfundimi i konflikteve.
Ajo ka ngritur padi ndaj 161 vetëve ka dënuar 83 dhe ka lënë të lirë 19. Mes të dënuarve është udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Karaxhiç, ndërsa Millosheviçi vdiq në burg para se të gjykohej.
Gjykata do të mbyllet më 31 dhjetor dhe një gjykatë e veçantë është krijuar për të trajtuar apelet e pazgjidhura dhe çështje të tjera.
Facebook Forum