Lidhje

Autoritetet federale do të ekzekutojnë pesë të dënuar me vdekje


Presidenti Donald Trump duke shtrënguar duart me kreun e Departamentit të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm William Barr
Presidenti Donald Trump duke shtrënguar duart me kreun e Departamentit të Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm William Barr

Kur vrasësi i dënuar me vdekje Orlando Hall u ekzekutua në një kompleks burgjesh federale në shtetin Indiana më 19 nëntor, kjo shënoi herën e parë në mbi një shekull që një ekzekutim federal kryhet në muajt e fundit të një presidenti në largim, pasi janë zhvilluar zgjedhjet.

Por ky nuk do të jetë ekzekutimi i vetëm në javët e fundit të mandatit të Presidentit Donald Trump. Pesë të burgosur të tjerë federalë, ndër ta edhe gruaja e vetme që pret ekzekutimin nga autoritetet federale, pritet të ekzekutohen gjatë dy muajve të ardhshme. I fundit prej tyre pritet të kryhet vetëm pesë ditë përpara se Presidenti Trump të largohet nga detyra më 20 janar.

Sipas të dhënave të Qendrës së Informimit për Dënimin me Vdekje, ekzekutimi i fundit federal në periudhën paszgjedhore ndodhi në vitin 1889 gjatë muajve të fundit të presidencës së parë të Grover Cleveland-it. Tradicionalisht, presidentët në largim ua kanë lënë pasardhësve të tyre vendimmarrjen për ekzekutimet.

Nëse kryhen të pesë ekzekutimet e planifikuara, një total prej 13 të burgosurish federalë do të jenë ekzekutuar nëpërmjet injeksionit gjatë periudhës korrik 2020 - janar 2021, deri pak përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden në 20 janar. 10 ekzekutimet federale gjatë vitit 2020 janë më shumë se të gjithë vitet e mëparshëm të shekullit të 20-të apo 21-të, sipas Qendrës së Informimit për Dënimin me Vdekje.

Më shumë ekzekutime në Shtetet e Bashkuara kryhen në nivelin e shteteve amerikane. Vetëm gjatë vitit të kaluar, pati 22 ekzekutime nga shtetet, krahasuar me tre ekzekutime federale përgjatë 34 viteve të fundit.

Të premten, Departamenti i Drejtësisë njoftoi synimin për të kryer tre ekzekutime, duke theksuar natyrën shokuese brutale të vrasjeve të zhvilluara nga të dënuarit me vdekje.

Ata janë: Alfred Bourgeois, i cili abuzoi dhe rrahu për vdekje vajzën e tij 2 vjeçe e gjysëm në vitin 2002; Cory Johnson, ish-anëtar i një bande në Riçmond të shtetit Virxhinia, bandë e cila vrau shtatë persona në vitin 1992; si dhe Dustin John Higgs, i cili u dënua me vdekje për rrëmbimin dhe vrasjen e tre grave në vitin 1996.

Ekzekutimet e planifikuara janë pjesë e një vale që filloi në muajin korrik, kur Departamenti i Drejtësisë rifilloi ndëshkimet me vdekje pas një ndërprerjeje 17-vjeçare. Kjo ndodh në një periudhë kur mbështetja publike për dënimin me vdekje ka rënë në nivele historikisht të ulëta dhe ndërsa një numër gjithnjë në rritje shtetesh amerikane kanë hequr dorë nga kjo praktikë.

Por si Presidenti Trump dhe Prokurori i Përgjithshëm William Barr janë mbështetës të fortë të dënimit me vdekje, dhe kundërshtarët e dënimit me vdekje thonë se Departamenti i Drejtësisë po nxiton të kryejë ekzekutimet përpara se të marrë detyrën zoti Biden.

"Nëse do të mbijetojnë deri sa të largohet Trump-i nga detyra dhe të vijë Biden-i, atëherë ata do të jetojnë", tha Helen Prejean, një murgeshë katolike dhe mbështetëse e hershme e heqjes së dënimit me vdekje.

Shtetet e Bashkuara janë e vetmja demokraci që ende ushtron dënimin me vdekje. Si shumica e demokratëve, edhe zoti Biden ishte dikur mbështetës i dënimit me vdekje. Por gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, ai iu bashkua demokratëve të tjerë duke u zotuar që t'i japë fund dënimit me vdekje.

Dhoma e ekzekutimit në Burgun e Sigurisë Maksimale në Boise, Idaho
Dhoma e ekzekutimit në Burgun e Sigurisë Maksimale në Boise, Idaho

"Biden do të punojë për të miratuar legjislacionin që do të eliminojë dënimin me vdekje në nivelin federal, dhe për t'i nxitur shtetet të ndjekin shembullin e qeverisë federale", thuhet në faqen e tij në internet. "Këta individë duhet të vuajnë dënim të përjetshëm pa mundësinë e faljes apo uljes së dënimit".

Por, ndërsa republikanët janë në avantazh për të patur kontrollin e Senatit pas dy zgjedhjeve të veçanta që do të zhvillohen në shtetin Xhorxhia, miratimi i një legjislacioni që do të ndalonte dënimin me vdekje nuk ka shanse të mira, thonë ekspertët.

Për rrjedhojë, zoti Biden ka shumë të ngjarë që thjesht të rivendosë moratoriumin mbi dënimin federal me vdekje që ishte në fuqi për shumicën e dy dekadave të fundit, tha Arthur Ago, drejtor i projektit të drejtësisë penale në Komitetin e Avokatëve për të Drejtat Civile sipas Ligjit.

Dhënia fund e ekzekutimeve federale është pjesë e paketës më të madhe të reformës së drejtësisë penale të zotit Biden, e cila përfshin përdorimin e zgjeruar të fuqisë presidenciale të faljes.

"Ka një fokus në rehabilitimin e njerëzve që janë dënuar për krime," tha zoti Ago.

Ekzekutimet federale u ndaluan në vitin 2003 mes pikëpyetjeve mbi kushtetueshmërinë e protokollit të qeverisë për injeksionin vdekjeprurës.

Kur zoti Barr njoftoi vitin e kaluar se po hiqte moratoriumin me miratimin e një protokolli të ri, ai tha se dënimi me vdekje ishte i rezervuar për "kriminelët më të këqij".

"Departamenti i Drejtësisë mbështet shtetin e së drejtës dhe ne u detyrohemi viktimave dhe familjeve të tyre të zbatojmë dënimin e vendosur nga sistemi ynë i drejtësisë", tha zoti Barr në një deklaratë.

Por jo të gjitha familjet e viktimave mbështetën ekzekutimet që pasuan.

Në korrik, Daniel Lewis Lee u bë i burgosuri i parë federal që u ekzekutua në 17 vjet. Por familja e dy viktimave të tij - Nancy Mueller dhe vajza e saj 8-vjeçare - kishin kundërshtuar për një kohë të gjatë ekzekutimin e tij dhe kërkuan pa sukses që të shtyhej deri pas pandemisë COVID-19.

Kompleksi i burgut federal në Terre Haute, Indiana
Kompleksi i burgut federal në Terre Haute, Indiana

Tani, në mes të një rritje të re të rasteve të infeksionit me COVID-19 në të gjithë vendin, mbrojtësit e të drejtave të njeriut shqetësohen se ekzekutimet e ardhshme, të gjitha të planifikuara të ndodhin në të njëjtin kompleks federal në Indiana dhe që me siguri do të tërheqin demonstrues pro dhe kundër dënimit me vdekje, mund të kthehen në aktivitete të përhapjes masive të virusit.

"Kjo është absolutisht e pandërgjegjshme; të planifikohen pesë ekzekutime jo vetëm gjatë një pandemie, por në një kohë kur Indiana, qarku ku ndodhet burgu në Vigo County, Indiana, dhe kombi, po përballen me rreziqe të papara nga COVID-19", tha Cassandra Stubbs , drejtore e Projektit të Dënimit Kapital në Unionin Amerikan të Lirive Civile.

Në korrik dhe gusht, qeveria federale solli qindra njerëz në kompleksin e burgut në Indiana për të marrë pjesë në pesë ekzekutime, sipas dokumenteve të marra nga Unioni Amerikan i Lirive Civile, mbështetur në Aktin e Lirisë së Informacionit. Zonja Stubbs tha se kjo ka të ngjarë të çojë në një përhapje të madhe në këtë institucion të COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.

"Ata sjellin qindra roje nëpër objekt, roje që janë në kontakt me mijëra të burgosur", tha zonja Stubbs.

Departamenti i Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Pesë të burgosurit që presin ekzekutimin përfshijnë Lisa Montgomery, e vetmja grua në radhën e pritjes për t'u ekzekutuar nga autoritetet federale. Në vitin 2007, ajo u dënua për mbytjen e një gruaje shtatzënë, prerjen e trupit të saj dhe rrëmbimin e foshnjës. Avokatët e saj thonë se ajo duroi dhunë ekstreme seksuale dhe trauma dhe se meriton mëshirë.

"Asnjë grua tjetër nuk është ekzekutuar për një krim të ngjashëm, sepse shumica e prokurorëve e kanë pranuar që është në mënyrë të pashmangshme produkt i traumës dhe sëmundjes mendore", tha Sandra Babcock, një nga avokatët e saj, në një deklaratë.

Ekzekutimi i zonjës Montgomery, planifikuar fillimisht për në 8 dhjetor, u shty deri në 12 janar pasi avokatët e saj morën virusin dhe një gjykatës e shtyu atë. Ajo do të ishte gruaja e parë e ekzekutuar sipas ligjit federal në 67 vjet.

Dy ditë më vonë, më 14 janar, do të ekzekutohet Johnson. Dhe më 15 janar, Higgs.

Megjithë rënien e mbështetjes publike për dënimin me vdekje në përgjithësi, shumica e amerikanëve ende favorizojnë dënimin me vdekje për një person të dënuar për vrasje.

Jeremy Mull, prokurori në Clark County, Indiana, dhe një ithtar i dënimit me vdekje, tha se rastet e ardhshme federale të ekzekutimit "hyjnë në përkufizimin e më të këqinjve ndër më të këqinjtë".

"Të gjitha këto raste duket se janë raste kur drejtësia do të kërkonte ndëshkimin me jetë të vrasësit", tha zoti Mull në një intervistë.

Por avokatët e zotit Johnson pohojnë se ai është me aftësi të kufizuara intelektuale dhe ka qenë një i burgosur model ndërsa avokatët e zotit Higgs thonë se ai "meriton mëshirë (pjesërisht) për shkak të pabarazisë në dhënien e dënimit në këtë çështje", duke vënë në dukje se bashkëpunëtori i Higgs, i cili tërhoqi këmbëzën, mori dënimin e burgimit përjetë pa mundësi zbutjeje.

"Në 20 vitet që ai ka qenë i burgosur, zoti Higgs është përshtatur jashtëzakonisht mirë me burgimin e përjetshëm dhe ka qenë prej kohësh një i burgosur model", tha Shawn Nolan, një nga avokatët e zotit Higgs, në një deklaratë. "Historiku i tij i provuar i përshtatjes pozitive e bën atë veçanërisht të përshtatshëm për të jetuar në mënyrë paqësore pjesën e mbetur të jetës së tij në paraburgim".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG