Lidhje

Dosjet e fshehta të komunizmit, ende peshë e rëndë për Shqipërinë


Më shumë se 25 vjet pas rënies së diktaturës 41 vjeçare të Enver Hoxhës, sekretet e saj vazhdojnë të helmojnë politikën shqiptare. Shumë njerëz në Shqipëri shpresojnë se hapja e arkivit të madh të dosjeve të fshehta të sigurimit do të shërbejë si një kapitull i ri për të shërimin e plagëve që la komunizmi.

Prej katër dekadash, Irina Sollaku është përpjekur të mësojë rreth fatit të burrit të saj, Xhavitit.

84-vjeçarja me origjinë ruse di vetëm një gjë: që i shoqi është ekzekutuar nga sigurimi i shtetit.

Ajo shpreson se me hapjen e arkivave të sigurimit do të gjejë më në fund një përgjigje.

"Sot mbushen 40 vjet që u pushkatua burri im. Unë me gjithë fëmijët ishim të internuar ku kam kaluar 12 vjet. Kam ikur nga vendi im dhe tani ka disa vjet që jam kthyer. Kam ardhur këtu me shpresën të kem mundësi të gjej eshtrat e burrit dhe për t’i bërë varrin."

Pas shumë vitesh, njëra prej vajzave, Elena, gjeti aktakuzën kundër të atit dhe tre dokumente për ekzekutimin e tij. Por secili dokument mban një datë të ndryshme dhe është e pamundur të gjesh se cila është e sakta.

Ndërkaq, ato nuk dinë asgjë se ku mund të jetë varrosur.

"Nuk kam urrejtje për askënd," thotë Irina.

Gentiana Sula është një prej personave të ngarkuar me hapjen e arkivave. Gjyshi i saj ka vdekur në burgjet e diktaturës. Gentiana thotë se arkivat përmbajnë sekrete të dhimbshme për shumë shqiptarë.

"Shqipëria është një nga vendet e fundit të Evropës Lindore dhe Qëndrore që ka vendosur t’i jap publikut të drejtën për të pasur qasje mbi dosjet e ish Sigurimit të Shtetit që është edhe policia politike. Në Shqipëri procesi është kompleks dhe do të thoja masiv. Në kuptimin e përmasës së përndjekjes shifrat janë të mëdhaja dhe kohëzgjatja e përndjekjes është shumë e madhe veçanërisht kjo e dyta dallon nga vendet e tjera."

Sipas disa ekspertëve në Shqipëri, një numër i madh dokumentesh të arkivave të sigurimit janë asgjësuar në vitet 1991-92, kur komunistët ishin ende në pushtet.

Daut Gumeni, ish i burgosur politik është gjithashtu i ngarkuar me hapjen e arkivave të sigurimit.

"Mua më ka mësuar jeta të mos kem frikë nga e vërteta sepse kam kaluar ca vështirësi që më kanë kalitur edhe kurajon përballë të vërtetës. Dikur duhet të mësohemi të gjithë me të vërtetën se pa e ditur se cilët jemi, nuk e dimë se ku vemi."

Qëllimi kryesor i hapjes së arkivave është të garantohet se asnjë bashkëpunëtor i sigurimit nuk do të mund të mbajë poste publike. Një tjetër synim është të sillet transparencë në skenën politike shqiptare, ku
Politikanët vazhdojnë të përdorin si armë akuzat dhe kundërakuzat për bashkëpunim me regjimin.

"Procesi i hapjes së dosjeve në Shqipëri është një proces i mbajtur peng për shkak të elitës politike dhe për shkak të së shkuarës dhe mëkateve që kasta politike e drejtimit të këtyre dekadave të fundit ka në vend", thotë analisti Aleksandër Çipa.

Hapja e dosjeve filloi në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka ecur ngadalë. Ekspertët parashikojnë që procesi të vazhdojë gjatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG