Lidhje

Kos: Shqipëria ka shënuar përparim shumë të mirë në rrugëtimin drejt BE-së


Komisionerja e Bashkimit europian për Zgjerimin Marta Kos, tha sot në Tiranë se Shqipëria ka ecur vërtet shumë mirë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.


Këto komente, komisionerja Kos, i bëri në Tiranë, gjatë një konferencë shtypi me kryeministrin Edi Rama.

Në tetor të vitit të kaluar, Shqipëria hapi bisedimet për grup-kapitujt e parë, që njihen ndryshe si themeloret, dhe që janë po ashtu të fundit që mbyllen. Në muajin dhjetor u hap dhe grup-kapitulli i dytë që lidhet me politikën e jashtme.


Brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti, parashikohet dhe hapja e dy grup-kapitujve të tjerë dhe deri në fund të 2025, parashikohet që bisedimet të kenë përfshirë të gjithë grupkapitujt.


Kryeministri Edi Rama përsëriti sot se ambicja e qeverisë së tij është që bisedimet të mbyllen brenda vitit 2027 e që deri në vitin 2030, Shqipëria të jetë bërë pjesë e Bashkimit Europian.


Komisionerja e Zgjerimit nga ana e saj deklaroi se bëhet fjalë për “objektiva realistë”.


Vizita e zonjës Kos, përkoi me diskutimet në parlamentin shqiptar për miratimin e dy marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin perëndimor, nga i cili Shqipëria pret të përfitojë afro 1 miliard euro në grante dhe hua.

XS
SM
MD
LG