Një problem në platformën e lëshimit bëri që anija e hapësirës SpaceX të shtynte një fluturim drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës të mërkurën në mbrëmje që synonte të kthente në tokë dy astronautë të bllokuar të NASA-s. Butch Wilmore dhe Suni Williams ka 9 muaj që janë bllokuar në orbitë, pasi mjeti që i dërgoi në hapësirë ‘Starliner’ u cilësua si jo i sigurt për t'i sjellë në Tokë. Astronautët janë në pritje të një fluturimi të kompanisë tjetër, SpaceX, për t'i rikthyer në tokë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor.
Butch Wilmore dhe Suni Williams prisnin që misioni i tyre të zgjaste vetëm një javë, kur u nisën qershorin e kaluar në bordin e kapsulës së re Starliner të kompanisë Boeing, në fluturimin e saj të parë me ekuipazh, pas vitesh vonese.
"A presim që të shkojë në mënyrë të përsosur? Ky është fluturimi i parë me ekuipazh i kësaj anije kozmike. Jam i sigurt që do të përballemi me situata të reja. Kjo është arsyeja pse e bëjmë këtë. Ky është një fluturim provë. Pra, kur bëni një provë, prisni të zbuloni gjëra. Dhe ne presim të përballemi me gjëra të reja", tha atëherë astronauti i NASA-s, Butch Wilmore.
Kapsula ‘Starliner’ pati shumë probleme për të arritur në stacionin hapësinor, saqë NASA vendosi se ishte shumë e rrezikshme për të transportuar njerëz dhe kapsula u kthye bosh.
“NASA ka vendosur që Butch dhe Suni të rikthehen me ekipin numër nëntë në muajin shkurt. Dhe kapsula Starliner do të kthehet bosh”, njoftoi në gusht të vitit të kaluar administratori i NASA-s, Bill Nelson.
Por kthimi i tyre u vonua më tej nga zgjatja e punimeve të nevojshme për kapsulën e re të kompanisë SpaceX që pritej të transportonte edhe ekipin që do t’i zëvendësonte.
Muajin e kaluar, NASA njoftoi se ekuipazhi i ardhshëm do të nisej me një kapsulë tjetër, të përdorur më parë, duke e shtyrë nisjen deri më 12 mars. Dy ekuipazhet do të kalonin rreth një javë së bashku në stacionin hapësinor përpara se të niseshin për udhëtimin e kthimit.
Astronautët Wilmore dhe Williams, ish-kapitenë të marinës në pension, kanë bërë disa fluturime në hapësirë. Ata kanë këmbëngulur gjatë muajve se janë në formë të mirë shëndetësore dhe të përkushtuar ndaj misionit për aq kohë sa duhet.
"Mirë se erdhët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës ndërsa bëhemi gati për festën e Krishtlindjes. Është një kohë e mrekullueshme e vitit këtu lart. Mund ta kalojmë me të gjithë familjen tonë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Jemi shtatë vetë këtu dhe kështu do të shijojmë shoqërinë së bashku”, thoshte në fund të vitit astronautja Williams.
Ata madje bënë një shëtitje në hapësirë së bashku në janar.
Gjatë një konference për shtyp në fillim të këtij muaji, astronauti Wilmore tha se ndërsa politika është pjesë e jetës, ajo nuk luajti rol në kthimin e tij dhe të astronautes Williams.
"Nga këndvështrimi im, politika nuk ka patur fare rol... U nisëm të përgatitur për të qëndruar gjatë, edhe pse kishim planifikuar të qëndronim për një periudhë të shkurtër. Kështu ndodh me fluturimet në hapësirë - planifikojmë për situata të panjohura, të papritura. Dhe ne e bëmë këtë", tha astronauti Wilmore.
Presidenti Donald Trump dhe drejtuesi i kompanisë SpaceX, Elon Musk, thanë në fund të janarit se donin të përshpejtonin kthimin e astronautëve, duke fajësuar administratën e mëparshme.
“Ju duam dhe do të vijmë t’ju marrim. Dhe nuk duhet të kishit mbetur atje lart për kaq gjatë. Presidenti më i paaftë në historinë tonë e lejoi këtë të ndodhë, por ky president nuk do ta lejojë këtë. Do të vijmë t’ju marrim. E kam autorizuar Elonin. I thashë, a mundesh t’i marrësh? Pasi siç e dini, janë lënë atje”, tha Presidenti Trump.
Udhëtimi i së mërkurës u shty pasi disa orë përpara fluturimit u zbuluan disa probleme teknike shqetësuese. Kompania SpaceX nuk njoftoi një datë të re për nisjen, por tha se mund të bëhet një provë e re mbrëmjen e së enjtes. Dy astronautët e NASA-s pritet të zëvendësohen nga një ekuipazh i përbërë nga dy astronautë amerikanë, një japonez dhe një rus.