Pengjet izraelite të liruar së fundmi nga Rripi i Gazës kanë treguar për kushtet e vështira që u detyruan të duronin gjatë 16 muajve të robërisë nga Hamasi, grup i përcaktuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ata thonë se mbaheshin në gjendje urije dhe burrat torturoheshin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein, ata ia dedikojnë lirimin e tyre përpjekjeve të Presidentit Donald Trump dhe shpresojnë se përpjekjet e tij do të çojnë në lirimin e pengjeve të mbetura së shpejti.
Eli Sharabi u mor peng në lagjen ‘Beeri’ pranë kufirit me Gazën më 7 tetor të vitit 2023. Vëllai i tij, gjithashtu i marrë peng, u vra në robëri. Ndërsa mbahej në Gazë, zoti Sharabi nuk e dinte se gruaja dhe dy vajzat e tij ishin vrarë në shtëpinë e tyre nga grupi militant palestinez.
Gjatë intervistave në kanalet televizive izraelite ai tregoi se ishte torturuar
“Mbaj mend që nuk mund të flinim për shkak të dhimbjeve. Litarët me të cilët na mbanin të lidhur kishin depërtuar në mish. Çdo lëvizje që bënim të bënte që të bërtisje. Kishte momente që humbisnim vetëdijen, zgjoheheshim pas 2 ose 3 orësh dhe dhimbja vazhdonte”, thotë zoti Sharabi.
Zoti Sharabi u mbajt peng për gati 500 ditë, kryesisht në tunele nëntokësore. Ai arriti të mbijetojë me atë pak ushqim, duke humbur 40% të peshës trupore. Gjendja e dobët e tij dhe dy pengjeve të tjerë të liruar bashkë me të, kanë tronditur dhe zemëruar izraelitët.
“Nuk më bënin përshtypje rrahjet, edhepse më rrahën derisa më thyen brinjët. Uria ishte problemi kryesor, unë doja një copë bukë më shumë”, thotë zoti Sharabi.
Grupi terrorist Hamas mban ende trupat e 35 pengjeve që u vranë në robëri dhe 24 të tjerëve, që besohet se janë ende gjallë. Familjet e tyre thonë se nuk ka mbetur shumë kohë për t'i shpëtuar.
“Pengjet e liruara së fundmi njoftuan se djali im Alon është i mbyllur në një tunel të vogël të errët 40 metra nën tokë për mbi 500 ditë. Ai mbahet vazhdimisht i lidhur me zinxhirë në kyçet e këmbës, rrihet, nk ka ushqim dhe ka humbur peshë të konsiderueshme. Ai ka copëza granate në njërin sy që e ka verbëruar dhe ka rrezik se do të humbasë shikimin edhe në syrin tjetër”, thotë Idit Ohel, nëna e pengut Alon Ohel.
Pasi pa intevistën televizive të zotit Sharabi, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ftoi një grup pengjesh të liruar në Shtëpinë e Bardhë dhe i dha një ultimatum grupit Hamas.
Disa ish pengje, si Keith Siegel, që ka shtetasi të dyfishtë amerikano-izraelite, besojnë se Presidenti Trump është shpresa më e mirë për lirimin e pengjeve të mbetura. Menjëherë pas lirimit, zoti Siegel vizitoi shtëpinë e tij të shkatërruar në lagjen ‘Kfar Aza’ dhe regjistroi një video duke falënderuar Presidentin Trump.
“Doja t'ju them edhe një herë se sa urgjente është që të lirohen të gjithë pengjet dhe të kthehen te familjet e tyre. Ju keni bërë kaq shumë deri më tani. Ne të gjithë ju kërkojmë që të vazhdoni përpjekjet dhe të përdorni aftësinë tuaj për të mundësuar më shumë përparim në marrëveshjet e shkëmbimit të pengjeve”, tha zoti Siegel, peng izraelit i liruar.
I dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff po vazhdon përpjekjet për të siguruar vazhdimin e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Bisedimet vazhdojnë edhe për arritjen e një marrëveshjeje më të përhershme dhe për më shumë lirime pengjesh.
Izrael, pengjet e liruar thonë se u torturuan nga Hamasi
