Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, miratoi të martën një plan afatshkurtër për financimin e qeverisë, ndërsa afrohet afati i 14 marsit.
Buxheti afatshkurtër u miratua me 217 vota pro dhe 213 kundër, me një republikan që votoi kundër dhe një demokrat që votoi në mbështetje të buxhetit. Sidoqoftë, projektbuxheti duhet të miratohet në Senat për t’u nënshkruar më pas në ligj nga Presidenti Trump.
“Vota kundër do të dëmtojë popullin amerikan dhe shkatërrojë vrullin e jashtëzakonshëm që ka krijuar Presidenti Trump gjatë 51 ditëve të fundit”, tha për mediat të martën pasdite zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Projektligji për buxhetin afatshkurtër kërkon 60 vota që të marrë miratimin në Senat, çka nënkupton që republikanët duhet të sigurojnë vota mes ligjvënësve demokratë. Dhoma e Përfaqësuesve është pushim gjatë gjithë javës, duke ushtruar trysni mbi senatorët për miratimin e variantit të saj.
“Jemi të përgatitur që ta shqyrtojmë në Senat dhe të sigurohemi që të premten qeveria të jetë e hapur. Por do të varet nga demokratët nëse kjo ndodh apo jo”, tha për median të martën udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, John Thune.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, arriti që të sigurojë mbështetje brenda ligjvënësve republikanë për miratimin e buxhetit afatshkurtër. Ai tha për shtypin se buxheti 7-mujor ishte një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të axhendës së Presidentit Trump për të eliminuar humbjet dhe abuzimet buxhetore përmes Departamentit të Efikasitetit në Qeveri, shkurtimisht DOGE.
“Na lejon që të ecim përpara duke ndryshuar madhësinë dhe fushëveprimin e qeverisë federale. Në Uashington po ndodh një zhvendosje sizmike. Është një moment krejt ndryshe nga sa më parë. Detyra e DOGE është gjetja e abuzimeve masive, shpërdorimeve dhe abuzimit. Kemi një Shtëpi të Bardhë të përkushtuar për kthimin në një situatë të përgjegjshme fiskale”, tha zoti Johnson.
Por nga ana tjetër, kritikët dhe disa analistë thonë se DOGE pretendon për abuzime në shkallë të gjerë për të fituar mbështetje për shkurtimet e thella të programeve dhe zyrave federale.
Më herët të martën, Nënpresidenti JD Vance foli me ligjvënësit në Kongres për të siguruar mbështetje për buxhetin. Ligjvënësi Thomas Massie ishte i vetmi republikan kundër, pavarësisht thirrjes së Presidentit Trump në rrjetin “TruthSocial” se nëse ai votonte kundër do të përballej me sfidues në zgjedhjet e ardhshme për Dhomën e Përfaqësuesve.
Buxheti afatshkurtër u jep kohë ligjvënësve që të arrijnë kompromis për variantet e projektbuxhetit të Senati dhe Dhomës së Përfaqësuesve, një mjet kyç për vënien në jetë të axhendës së Presidentit Trump për politikën e brendshme.
Pikëpyetjet shtrohen rreth zbatimit të planit të Presidentit Trump të vitit 2017 për shkurtimin e taksave dhe pagesa e borxhit amerikan pa shkurtuar programet kryesore për amerikanët.
“Donald Trump, Elon Musk dhe republikanët e Senatit e dinë se matematika e tyre për uljen e taksave të miliarderëve nuk do të funksionojë pa ulur këto përfitime jetike”, u tha gazetarëve të martën udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.
Udhëheqja e Senatit ka propozuar miratimin e shkurtimit të taksave përmes një projektligji të veçantë më vonë gjatë vitit.
Gazetarja Anita Powell kontribuoi për këtë lajm.