Presidenti Donald Trump dyfishoi të martën tarifën për të gjitha produktet e çelikut dhe aluminit që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Kanadaja, duke e çuar totalin në 50%. Vendimi vjen si përgjigje ndaj qëndrimit të provincës së Ontarios, që vendosi një tarifë 25% për energjinë elektrike që eksportohet në SHBA.
Në një postim në 'Truth Social' Presidenti Trump shkruante se ka udhëzuar sekretarin e Tregtisë që të vendosë një tarifë shtesë prej 25%, që do të hyjë në fuqi të mërkurën në mëngjes.
"Kanadaja duhet të heqë menjëherë tarifën e saj anti-amerikanë për fermerët prej 250 deri në 390%, për produkte të ndryshme amerikane të qumështit, që është konsideruar prej kohësh si skandaloze. Së shpejti do të shpall një emergjencë kombëtare për energjinë elektrike brenda zonës së kërcënuar", shkruante zoti Trump.
Presidenti tha gjithashtu se do të "rrisë ndjeshëm" tarifat për makinat që hyjnë në Shtetet e Bashkuara më 2 prill "nëse Kanadaja nuk ul tarifat e tjera, skandaloze" siç i quajti ai, "të vendosura për kohësh".
Kryeministri i ardhshëm i Kanadasë Mark Carney i konsideroi të martën tarifat e reja amerikane një "sulm" ndaj punëtorëve, familjeve dhe bizneseve kanadeze.
“Qeveria ime do t'i mbajë në fuqi tarifat tona derisa amerikanët të tregojnë respekt dhe të angazhohen në mënyrë të besueshme për tregti të lirë e të ndershme”, shkruante zoti Carney në një postim në mediat sociale.