Lidhje

Udhëheqësi iranian refuzon bisedimet me Shtetet e Bashkuara


Udhëheqësi suprem i Irani, Ayatollah Ali Khamenei
Udhëheqësi suprem i Irani, Ayatollah Ali Khamenei

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei tha se refuzon përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për bisedime mes dy vendeve, pasi ato do të sillnin vendosje të kufizimeve ndaj rrezes së raketave iraniane dhe influencën në rajon.

Duke folur me një grup zyrtarësh të shtunën, zoti Khamenei nuk i identifikoi me emër Shtetet e Bashkuara, por foli për një “qeveri përndjekëse” që po këmbëngulte për bisedime.

“Bisedimet e tyre nuk synojnë të zgjidhin problemet; janë për t’i imponuar palës së ulur në anën tjetër të tavolinës atë që dëshirojnë”, tha ai.

Komentet e zotit Khamenei u bënë një ditë pasi Presidenti Donald Trump konfirmoi dërgimin e një letre për zotin Khamenei ku kërkohej një marrëveshje e re me Teheranin për të kufizuar zhvillimin e shpejtë të programit bërthamor dhe për të zëvendësuar marrëveshjen bërthamore nga e cila Amerika u tërhoq gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump.

Në komentet e tij për gazetarët në Zyrën Ovale të premten, Presidenti Trump nuk përmendi drejtpërdrejt letrën. Por, ai bëri një referencë për veprime të mundshme ushtarake, duke thënë se: “Kemi një situatë me Iranin dhe diçka do të ndodhë shumë shpejt. Shumë shpejt”.

Oferta për bisedime u bë ndërsa Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se nuk do t’i lejojnë Iranit të prodhojë armë bërthamore, duke krijuar frikën për një përballje ushtarake ndërsa Irani pasuron uranium në nivelin e armatimit bërthamor – një proces që realizohet nga vendet me armatim bërthamor.

Teherani ka pretenduar prej kohësh se programi i tij është për qëllime paqësore, edhe pse zyrtarët e tij gjithnjë e më shumë kërcënojnë se do të prodhohet bomba bërthamore, pasi tensionet janë të larta me Shtetet e Bashkuara për shkak të sanksioneve dhe me Izraelin, ndërsa një armëpushim delikat vazhdon të jetë në fuqi për luftën kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Prodhimi i përshpejtuar i uraniumit pothuajse pranë nivelit të duhur për armatim bërthamor, e rrit trysninë ndaj Presidentit Trump. Ai ka thënë vazhdimisht se është i hapur për negociata me Republikën Islamike, ndërsa gjithashtu vendos gjithnjë e më shumë sanksione për shitjen e naftës nga Irani, si pjesë e politikës së tij të "trysnisë maksimale".

Në fund të gushtit, udhëheqësi iranian Khamenei në një fjalim hapi derën për bisedime të mundshme me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se nuk ka "asnjë dëm" nga angazhimi me "armikun". Megjithatë, kohët e fundit udhëheqësi suprem e zbuti këtë deklaratë, duke thënë se negociatat me Amerikën "nuk janë inteligjente, të mençura apo të ndershme", pasi Presidenti Trump përmendi mundësinë e bisedimeve bërthamore me Teheranin.

XS
SM
MD
LG