Lidhje

Presidenti Trump inkurajon sektorin e kriptomonedhave


Nga takimi për kriptomonedhat në Shtëpinë e Bardhë (7 mars 2025)
Nga takimi për kriptomonedhat në Shtëpinë e Bardhë (7 mars 2025)

Presidenti Donald Trump mblodhi në Shtëpinë e Bardhë drejtues të sektorit të kriptomonedhave për të diskutuar mbi investimet dixhitale dhe objektivin e tij për të ngritur një rezervë strategjike për monedhën bitcoin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, ky është një ndryshim rrënjësor i politikës së deritanishme amerikane për kriptomonedhat.

Të premten, Presidenti Donald Trump mirëpriti në Shtëpinë e Bardhë drejtues të sektorit të kriptomonedhave për të diskutuar të ardhmen e investimeve dixhitale.

“E di se disa prej jush kishin punuar shumë përpara se njerëzit të kuptonin se çfarë ka ndodhur. Kështu që unë ju përgëzoj. Kjo është një ditë e madhe”, tha Presidenti Trump.

Takimi sinjalizoi një ndryshim dramatik të politikës amerikane për sektorin e kriptomonedhave, përfaqësuesit kryesorë të të cilit janë ankuar për kufizimet e vendosura nga administrata Biden.

Presidenti Trump bëri disa premtime për kriptomonedhat gjatë fushatës elektorale vitin e kaluar dhe sektori i kriptomonedhave kontribuoi me miliona dollarë për rizgjedhjen dhe inaugurimin e tij.

Komisioni federal që mbikëqyr këtë sektor ka anuluar tashmë proceset ligjore të ngritura ndaj disa prej kompanive të kriptomonedhave.

“Administrata ime po punon edhe për t’i dhënë fund luftës së burokratëve ndaj kriptomonedhave, që po zhvillohej pa frena gjatë (presidencës) Biden”, tha Presidenti Donald Trump.

Presidenti Trump nënshkroi edhe një urdhër ekzekutiv për të krijuar një rezervë strategjike të monedhës bitcoin.

Gjatë procesve penale apo civile, qeveria amerikane konfiskon bitcoin, kriptomonedha më e tregëtuar në nivel global. Tashmë qeveria do t’i mbajë monedhat bitcoin dhe nuk do t’i shesë, siç është vepruar deri më tani, tha Presidenti Trump. Nuk do të përdoren paratë e taksapaguesve, tha ai.

Shumica e amerikanëve janë të shqetësuar për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e kriptomonedhave, sipas një studimi të bërë në tetor nga Qendra Kërkimore Pew. Kritikët thonë se kriptomonedhat janë me rrezik për konsumatorët dhe sistemet financiare.

Krijimi i një rezerve bitcoin nga administrata e Presidentit Trump mund t’i ndihmojë disa investitorë të fitojnë besimin tek investimet dixhitale.

“Është një hap drejt legjitimimit të kriptomonedhave. Nëse qeveria krijon rezerva, do të thotë që është një shenjë se janë legjitime për t’u blerë”, thotë eksperti Paul Kupiec, nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes.

Shtetet e Bashkuara duhet të marrin rol udhëheqës në tregun e kriptomonedhave, thonë disa vëzhgues.

“Është krijuar praktikisht një sistem i dytë paralel financiar me sistemin aktual. Është në interesin e shtetasve amerikanë, që Shtetet e Bashkuara të futen në këtë fushë, për të mos humbur fuqinë financiare”, thotë profesori Olaf Groth, nga Shkolla e Biznesit Haas.

Hapi i parë për rezervën bitcoin do të jetë që të vlerësohet se sa bitcoin gjendet aktualisht në duart e qeverisë amerikane.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë vlerësojnë se qeveria ka rreth 200,000 bitcoin, me vlerë rreth 17 miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG