Lidhje

Rutte: Rritja e buxhetit dhe e prodhimit të mbrojtjes, të nevojshme për sigurinë e Evropës


Rritja e buxheteve evropiane të mbrojtjes si edhe ajo e prodhimit nga industritë e pajisjeve ushtarake, janë të nevojshme për të sigurinë e Evropës, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në një intervistë për një gazetë gjermane.

“Duhet të shpenzojmë më shumë për sigurinë tonë," i tha zoti Rutte gazetës gjermane të së dielës Welt am Sonntag . "Por ne gjithashtu duhet të rrisim me shpejtësi prodhimin e mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut...për një kohë të gjatë, ne kemi prodhuar shumë pak."

NATO-ja përfshin pjesën më të madhe të Evropës, si edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.

Zoti Rutte tha se duhen municione, anije, tanke, avionë, por edhe satelitë dhe dronë.

Vendet evropiane po ndërmarrim hapa për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën, pasi Presidenti amerikan Donald Trump pezulloi ndihmën ushtarake të SHBA-së për Kievin dhe ngriti dyshime për angazhimin e Uashingtonit ndaj aleatëve evropianë.

Ai ka bërë thirrje vazhdimisht që vendet evropiane të kontribuojnë më shumë për mbrojtjen e kontinentit të tyre.

Udhëheqësit e BE-së mbajtën një takim të nivelit të lartë të enjten lidhur me sigurinë e kontinentit, ku diskutuan për zgjerimin e shpenzimeve të mbrojtjes, përtej kufijve të rreptë të buxhetit për sektorë të tjerë.

Zoti Rutte tha se është takuar me shumë krerë të kompanive prodhuese të mbrojtjes dhe u ka kërkuar atyre t'i përgjigjen kërkesës më të madhe.

XS
SM
MD
LG