Në Shqipëri, kryebashkiaku socialist i Libohovës, në jug të vendit, Leonard Hide, u çlirua të enjten nga akuza e shpërdorimit të detyrës, ngritur ndaj tij për periudhën kur kishte qenë shef i Krimeve pranë komisariatit të Gjirokastrës.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata vendosi pushimin e çështjes ndaj tij, dhe 5 punonjësve të tjerë të policisë, mes të cilëve dhe ish shefi i Komisariatit të Gjirokastrës pasi “nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprën penale”.
Zoti Hide u mor i pandehur në mars të vitit të kaluar. Kishte qenë Prokuroria e Gjirokastrës ajo që kishte kryer hetimet ndaj tij dhe kolegëve të tij nën dyshimet se kishin toleruar kultivimin e kanabisit. Prokuroria kishte pretenduar se në të paktën 5 raste, ai dhe kolegët e tij të policisë, nuk kishin kryer kontrolle, apo hetime të mëtejshme në zona ku kishte patur dyshime për kultivim të marijuhanës apo dhe aty ku verifikimet me dronë, kishin identifikuar sipërfaqe të mbjella më bimë narkotike.
Prokuroria e Gjirokastrës, ia transferoi rastin Prokurorisë së Posaçme, pas zgjedhjes së zotit Hide si kryebashkiak i Libohovës, duke shpallur moskompetencën. Një vit më parë, në dalje nga Prokuroria e Posaçme, ai deklaroi se nuk kishte patur dijeni për hetimet, kur në vitin 2023 kishte konkuruar për Bashkinë e Libohovës.