Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën se ka mbyllur hetimet duke dërguar për gjykim çështjen ndaj kryetarit socialist të Bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi dhe zëvendësit të tij Abedin Kërrnaja. Të vënë në arrest shtëpie, në shtator të vitit të kaluar, mbi të dy rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”, në bashkëpunim, në rastin e hapjes së një rrugë të re, me një gjatësi 3.2km, e cila në pjesën dërrmuese kalon nëpër rrugën këmbësore ekzistuese.
Sipas Prokurorisë, e cila vlerëson se dëmi arrin në 2.7 milionë euro, “rezulton se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi”. Nga hetimet rezulton se drejtuesi i Bashkisë “ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, gjatë procesit për hapjen e rrugëve”, duke qenë se vendimi përcakton se “për hapjen e një rrugë të re, subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh”.
Pokuroria shpjegon gjithashtu se “Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës, për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit”.
Të dy drejtuesit e Bashkisë e kanë hedhur poshtë akuzën e ngritur ndaj tyre. Çështja përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme, pasi Prokuroria e Kukësit kishte rregjistruar më parë, tre procedime penale, përgjatë viteve 2021-2023 për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.