Shtetet e Bashkuara po bëjnë një dallim të qartë midis Partisë Komuniste Kineze (PKK) dhe popullit kinez, duke theksuar se Uashingtoni e sheh qeverinë e Pekinit, jo publikun e gjerë, si një kundërshtar në konkurrencën strategjike, sipas një dokumenti të brendshëm të siguruar nga Zëri i Amerikës.
Kjo qasje përputhet kryesisht me mesazhet publike të Departamentit të Shtetit në vitet e fundit të mandatit të parë të Presidentit Trump.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio udhëzoi ambasadat dhe konsullatat amerikane që të përdorin terminologji më specifike dhe të shmangin shprehjet që në gjuhën kineze që mund të kenë kuptim negativ për popullin, kulturën apo gjuhën kineze.
Udhëzimi i fundit pason heqjen e referencave ndaj qeverisë së Pekinit si "Republika Popullore e Kinës" në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit, e cila tani i referohet vendit thjesht si "Kina".
Dokumenti i brendshëm udhëzon Departamentin e Shtetit që të përdorë inicialet "CCP" (Partia Komuniste e Kinës) në fjalimet publike ose deklaratat për shtyp mbi veprimet e qeverisë, duke pranuar se Partia Komuniste e Kinës ka autoritetin përfundimtar mbi vendimet politike, ekonomike, ushtarake dhe shumë vendime të tjera të Pekinit.
Por lidhur me veprimet keqdashëse të Kinës, dokumenti këshillon që të mos përdoret mbiemri "kineze" për të shmangur perceptimin se qeveria e Shteteve të Bashkuara ia atribuon ato veprime popullit kinez, thuhet në udhëzimin e Departamentit të Shtetit.
Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara këshillohen gjithashtu që të shmangin përdorimin e gjuhës që pasqyron ideologjinë e udhëheqësit të Kinës Xi Jinping.
Sipas këtij udhëzimi, udhëheqësi i Kinës Xi duhet të quhet si "Sekretar i Përgjithshëm" i Partisë Komuniste, jo si "President", duke pasqyruar rolin dominues të partisë mbi shtetin, një praktikë kryesisht në përputhje me qasjen e ish-Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.
Në udhëzimin e brendshëm, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ripohoi theksin tek informacionet e Departamentit të Shtetit mbi politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës, ku thuhet se Shtetet e Bashkuara do t’i trajtojnë marrëdhëniet e tyre me Kinën bazuar në parimet e "reciprocitetit dhe drejtësisë".
Për më tepër, Departamenti i Shtetit duhet të shmangë karakterizimet e përdorura më parë nga administrata e ish-presidentit Joe Biden, si "investoni-përmirësoni-konkurroni" dhe "menaxhim me përgjegjësi i marrëdhënieve" mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Në Pekin, zyrtarët kinezë kanë “kundërshtuar me vendosmëri” ndryshimet në faqen e Departamentit të Shtetit me informacione për Kinën, duke e akuzuar atë për “përdorim të së ashtuquajturës konkurrencë strategjike Kinë-SHBA”.
Në një konferencë për shtypin të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian tha se Kina "ka dorëzuar protesta serioze tek Shtetet e Bashkuara" pas intervistave të fundit të Sekretarit Rubio në media, të cilat Pekini i konsideroi si "të zhytura në mentalitetin e Luftës së Ftohtë".
Në Uashington, analistët thonë se ndryshimet e politikave të Departamentit të Shtetit për Kinën janë normale dhe shpesh ndodhin kur një administratë e re merr detyrën.
“Ne jemi ende duke pritur të shohim saktësisht se si administrata e Presidentit Trump” do të ndryshojë strategjinë e saj më të gjerë për Kinën, tha Brian Hart, zëvendësdrejtor i Projektit Fuqia e Kinës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington. Megjithatë, gjatë një diskutimi të hënën mbi Kinën të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, ai vuri në dukje se përditësimet në faqet zyrtare të internetit janë të zakonshme gjatë ndërrimit të administratave.