Amerikanët myslimanë në shtetin e Illinoit nisën muajin e shenjtë të Ramazanit ndërsa juria shpalli fajtor për vrasje me motiv urrejtjeje një 73 vjeçar i cili qëlloi për vdekje me thikë një fëmijë 6 vjeçar palestinezo-amerikan. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh sjell më shumë hollësi.
Ndërsa miqtë dhe anëtarët e familjes u mblodhën për lutjet e së premtes jashtë gjykatës së qarkut Will, anëtarët e jurisë shqyrtuan për më pak se 90 minuta rastin e një vrasjeje që tronditi komunitetin mysliman amerikan të Illinoit.
73-vjeçari Joseph Czuba u shpall fajtor për të gjitha akuzat, përfshirë vrasje me motiv urrejtje, pasi qëlloi për vdekje me thikë 6-vjeçarin palestinezo - amerikan Wadee Alfayoumi dhe plagosi nënën e tij, Hanan Shaheen.
I ati i fëmijës së vrarë, Odai Alfayoumi, foli për gazetarët pas vendimit.
"Unë jam i ati i fëmijës dhe kam humbur tim bir. Ndjej se vendim erdhi me vonesë”, thotë ai.
Amina Barhumi është pjesë e Koalicionit Qytetar Musliman, organizatë jo-qeveritare që ndihmoi në hartimin e "Rezolutës Wadee" që u miratua shtatorin e kaluar në Senatin amerikan.
Rezoluta e njeh vdekjen e 6-vjeçarit Wadee si një krim me motive urrejtjeje për shkak të identitetit të tij palestinezo-musliman. Vrasja ndodhi një javë pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit të 2023 në Izrael, që la të vrarë më shumë se 1200 njerëz. Hamasi, i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara si grup terrorist, mori peng edhe qindra vetë. Sipas ‘Rezolutës Wadee’, "Shtetet e Bashkuara deklarohen se kanë zero tolerancë për krimet e urrejtjes, islamofobinë, anti-semitizmin, diskriminimin anti-palestinez dhe anti-arab".
“Është një moment për të vajtuar humbjen e Wadeet, por po aq edhe për të kërkuar se çfarë masash po marrim për t’u siguruar se Wadee ishte i fundit që u vra dhe nuk do vriten të tjerë”, thotë zonja Barhumi.
“Myslimanët duhet të vdesin’, kështu thirri Joseph Czuba kur qëlloi me thikë”, thotë Ahmed Rehab.
Zoti Rehab, i cili drejtoi lutjet e së premtes jashtë gjykatës dhe përktheu për të atin e viktimës, është drejtori ekzekutiv i zyrës së Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike në Çikago.
“Është një nga krimet më të rënda që është kryer së fundmi dhe që ka patur si objektiv një djalë 6-vjeçar, që ishte ende në kopësht dhe të ëmën e tij. Fëmija është goditur 26 herë, siç e keni dëgjuar vazhdimisht. Mund ta imagjinoni se sa brutale ka qenë e gjithë skena. Është shumë e vështirë për prindërit, që do t’u duhet të bashkëjetojnë me këto hollësi të tmerrshme të krimit ndaj lutjet tona shkojnë për ta”, tha zoti Rehab.
Illinoi ka një nga popullsitë më të mëdha myslimane amerikane të vendit. Numri më i lartë i palestinezëve jetojnë në qarkun Coook, sidomos në lagjen e Çikagos ‘Bridgeview’, që njihet gjithashtu si “Palestina e vogël”
“Të gjithë ne që jemi prindër, që jemi arabë, ose palestinezë, të gjithë ne ndjemë vdekjen e Wadee Alfayoumit sepse ai mund të kishte qenë një nga djemtë tanë”, thekson zoti Rehab.
Ai thotë se po bëhen plane për ndërtuar një memorial të përhershëm për 6-vjeçarin Wadee në një park fëmijësh në qytetin e tij të lindjes, në periferi të Çikagos në Plainfield.
Dënimi i Joseph Czuba është planifikuar për në 2 maj.