Shtetet e Bashkuara vendosën të martën tarifa të reja prej 25% për eksportet nga Meksika dhe Kanadaja, duke injoruar provat se vendet fqinje kufizuan migrimin e paligjshëm dhe rrjedhën e drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, siç kishte kërkuar Presidenti Donald Trump.
Udhëheqësi amerikan njoftoi për herë të parë tarifat një muaj më parë dhe i pezulloi ato shpejt, pasi udhëheqësit kanadezë dhe meksikanë u zotuan të ndërmarrin veprime. Presidenti Trump u tha gazetarëve të hënën pasdite se tha se nuk kishte asnjë shans për Meksikën apo Kanadanë për të shmangur tarifat.
Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se vendi i tij "nuk do ta lërë këtë vendim të pajustifikuar të mbetet pa përgjigje" dhe njoftoi se do të vendosë tarifa prej 25% për mallrat amerikane me vlerë prej 155 miliardë dollarësh.
Kryeministri Trudeau tha se Kanadaja ka shtuar personelin dhe pajisjet në kufi për të ndaluar rrjedhën e fentanilit në Shtetet e Bashkuara.
“Për shkak të kësaj pune, në partneritet me Shtetet e Bashkuara, konfiskimet e fentanilit nga Kanadaja kanë rënë 97 për qind midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025 në një nivel gati zero, prej 0,03 paund të kapur nga Doganat amerikane”, tha ai.
Kryeministri Trudeau tha se vendimi i Presidentit Trump "do të prishë një marrëdhënie tregtare jashtëzakonisht të suksesshme" dhe se tarifat do të bëjnë që amerikanët të paguajnë më shumë për prodhime të tilla si artikujt ushqimorë, benzina dhe makinat.
Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, ekonomia e së cilës e varur nga tregtia dërgon 80% të eksporteve të saj në SHBA, sugjeroi se vendi i saj mund të vendosë gjithashtu tarifa hakmarrëse.
“Është një vendim që varet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara”, tha zonja Sheinbaum para komenteve të së hënës të zotit Trump. “Pra, cilido qoftë vendimi i tij, ne do të marrim vendimet tona dhe ka një plan. Në Meksikë ka unitet”.
Pasi Presidenti Trump njoftoi për tarifat e reja ndaj Meksikës dhe Kanadasë muajin e kaluar, Presidentja Sheinbaum dërgoi 10,000 trupa në kufirin verior të Meksikës me SHBA-në për të frenuar rrjedhën e narkotikëve.
Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë të administratës thanë këtë javë se kapjet e njerëzve që kalonin ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë ranë në një shkallë rekord të ulët në muajin shkurt.
Pasojat nga rritja e tarifave mund të tronditin ekonomitë e të tre vendeve, me ndoshta më pak kërkesë në SHBA për mallra meksikane dhe kanadeze që do të kushtonin gjithnjë e më shumë për konsumatorët dhe bizneset amerikane.
Shtetet e Bashkuara vendosën gjithashtu të martën me një tarifë të re prej 10% për mallrat kineze, duke dyfishuar tarifat prej 10% të vendosura nga zoti Trump më 4 shkurt. Presidenti Trump ka fajësuar Kinën si burimin e trafikut të fentanilit në SHBA përmes Meksikës dhe Kanadasë.
Ministria kineze e Tregtisë tha në një deklaratë të martën se kundërshton me vendosmëri veprimin e Shteteve të Bashkuara dhe Kina do të marrë kundërmasa për të mbrojtur interesat e saj. Kina tha gjithashtu se tarifat shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe dëmtojnë bashkëpunimin ekonomik SHBA-Kinë.
Ministria kineze e financave tha se duke filluar nga 10 marsi, Kina do të vendosë një tarifë prej 15% për importet e mishit të pulës, grurit, misrit dhe pambukut amerikan. Një tarifë prej 10% do të zbatohet për melekuqen, sojën, mishin e derrit dhe të viçit, frutat, perimet dhe bulmetin, tha ministria në një deklaratë.
Ekonomistët thonë se tarifat që Presidenti Trump po vendos ka të ngjarë të rrisin çmimet e shitjes me pakicë për konsumatorët dhe koston e materialeve për bizneset. Meksika, Kanadaja dhe Kina, sipas kësaj renditjeje, janë tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara, por Bashkimi Evropian prej 27 vendesh është partneri më madh.
Në mbledhjen e parë të kabinetit të tij të ri të mërkurën, Presidenti Trump tha se do të shpallte “shumë shpejt” një tarifë prej 25% për mallrat e importuara nga BE-ja.
BE-ja u zotua se do t'i përgjigjet "në mënyrë të vendosur dhe menjëherë" pengesave "të pajustifikuara" tregtare dhe sugjeroi se do të vendoste tarifat e veta ndaj importeve amerikane nëse Presidenti Trump vazhdon me planet e tij.
Në njoftimin e tij në platformën "Truth Social", Presidenti Trump tha se tarifat e ndërsjella ndaj atyre vendeve që do tu vendosin tarifa mallrave amerikane, do të hynin në fuqi më 2 prill. Ai ka lënë të kuptohet gjithashtu për vendosjen e tarifave ndaj importeve të makinave, lëndëve drusore, prodhimeve farmaceutike e mallrave të tjera.
Shumë ekonomistë kanë paralajmëruar vazhdimisht se tarifat mund të çojnë në çmime më të larta, duke nxitur rritjen e inflacionit në SHBA. Presidenti Trump ka pranuar se një gjë e tillë mund të shkaktojë dhimbje afatshkurtër për amerikanët, por ai ka shtuar se tarifat do të ishin përfundimisht të dobishme për ekonominë më të madhe në botë.
Presidenti Trump thotë se tarifat do të ishin një nxitje për kompanitë e huaja që të prodhonin më shumë në Shtetet e Bashkuara si një mënyrë për t’i shmangur ato.
*Disa informacione për këtë material u morën nga agjencitë e lajmeve France-Presse dhe Reuters.