Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se do të japë një përditësim mbi marrëveshjen e mineraleve me Ukrainën të martën në mbrëmje, duke iu referuar fjalimit të tij para Kongresit, i pari që nga marrja zyrtarisht e detyrës.
Presidenti Trump tha gjithashtu se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy duhet të jetë më mirënjohës ndaj mbështetjes së Uashingtonit për vendin e tij.
"Mendoj se ai duhet të jetë më mirënjohës", u tha Presidenti Trump gazetarëve gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkaq të hënën Britania tha se janë bërë një sërë propozimesh për ndalim të luftimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, pasi Franca sugjeroi një plan për një pauzë një mujore, që do të çonte në bisedime për paqe, por Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump la të kuptohet se po i sosej durimi.
Vendet europiane, të udhëhequra nga Britania dhe Franca, janë bashkuar në krah të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy dhe po përpiqen të hartojnë një plan paqeje që përfshin edhe Kievin, pas përplasjes së javës së shkuar në Zyrën Ovale mes Presidentëve Zelenskyy edhe Trump.
“Mbi tryezë ka një sërë propozimesh”, tha zëdhënësi i kryeministrit britanik Keir Starmer.
Franca, Britania dhe potencialisht edhe vende të tjera evropiane kanë ofruar të dërgojnë trupa në Ukrainë, në rast se arrihet një armëpushim, -një ide që Moska tashmë e ka kundërshtuar -, por ato thonë se kanë nevojë për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, ose një “garanci”.
Presidenti Trump ka ridrejtuar politikën amerikane duke nisur bisedimet me Moskën, pa përfshirjen e Ukrainës dhe pa u konsultuar me aleatët e tjerë Perëndimorë.
Të premten, Presidenti Trump paralajmëroi publikisht Presidentin Zelenskyy që të binte dakord, ose do të përballej me një ndërprerje të ndihmës kritike ushtarake.
Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara reagoi me zemërim pasi shpërndau në rrjetin Truth Social një lajm të agjencisë Associated Press ku citohej zoti Zelenksyy të shprehej se “mbarimi i luftës është shumë, shumë larg”.
“Kjo është deklarata më e keqe që ka bërë ndonjëherë Zelenskyy dhe Amerika nuk do ta tolerojë edhe për shumë kohë një gjë të tillë”, shkroi Presidenti Trump.
“Është ajo që kam thënë, se ky njeri nuk do paqe për sa kohë ka mbështejen e Amerikës, dhe Evropa, në takimin që pati me Zelenskyyn e tha qartë se nuk mund ta realizojnë këtë (paqen) pa Shtetet e Bashkuara”, shkroi ai.
Presidenti Zelenskyy thotë se marrëveshja e armëpushimit duhet të përmbajë garanci të qarta nga Perëndimi, për t’u siguruar që Rusia, e cila nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës tre vjet më parë dhe kontrollon 20 për qind të territorit, nuk do të sulmojë përsëri.
Presidenti Trump ka refuzuar që të japë garanci të tilla.
Kryeministri Starmer priti të dielën, udhëheqësit evropianë në Londër dhe tha se ata kishin rënë dakord për të hartuar një plan paqeje që do t’i paraqitet Uashingtonit.
Franca sugjeron armëpushim njëmujor për të testuar synimet ruse
Në intervistën e dhënë ndërsa ishte rrugës për në takimin e nivelit të lartë, Presidenti francez Emmanuel Macron foli për mundësinë e një armëpushimi njëmujor. Aleatët nuk ofruan mbështetje të menjëhershme publike për propozimin e zotit Macron.
“Një armëpushim i tillë që ofron mbrojtje për infrastrukturën ajrore, detare dhe energjetike do të na lejonte të përcaktojmë nëse Presidenti rus Vladimir Putin vepron me mirëbesim”, tha ministri i jashtëm francez Jean-Noel Barrot.
“Më pas mund të fillojnë negociatat e vërteta për paqe”.
Trupat tokësore evropiane do të vendosen në Ukrainë në një fazë të dytë, tha Presidenti Macron në intervistën e botuar në “Le Figaro”.
Presidenti Zelenskyy, i pyetur nëse ishte në dijeni për propozimin, u tha gazetarëve në Londër: “Unë jam në dijeni të gjithçkaje”.
Udhëheqësit evropianë po shqyrtojnë atë që disa e cilësojnë si ndryshimin më të madh të politikës së Uashingtonit që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky ndryshim përfshin edhe largimin e zotit Zelensky nga Shtëpia e Bardhë të premten pas një debati të ashpër, para kamerave, me Presidentin Trump dhe Nënpresidentin amerikan JD Vance.
Presidenti Zelenskyy shkoi në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara qasje në mineralet e rralla të Ukrainës, por u largua pa e nënshkruar atë.
Këshilltari Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare Mike Waltz, i tha rrjetit amerikan “Fox News” se Presidenti Zelensky duhet të kërkojë falje.
“Ajo që duhet të dëgjojmë nga Presidenti Zelensky është se u pendua për atë që ndodhi, se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet dhe se është gati të angazhohet në bisedimet për paqe”, tha zoti Waltz.
“Unë nuk mendoj se është e tepërt për ta kërkuar këtë. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në 48 orët e ardhshme, por sigurisht që ne po kërkojmë të ecim përpara”.
Friedrich Merz, politikani konservator që pritet të bëhet kancelar i Gjermanisë pasi fitoi zgjedhjet e një jave më parë, tha se debati i ashpër në Shtëpinë e Bardhë të premten, gjatë të cilit zotit Zelensky iu kërkua të angazhohej publikisht për një zgjidhje diplomatike, kishte qenë një kurth i planifikuar.
“Nuk ishte një reagim i rastësishëm ndaj komenteve të zotit Zelensky, por padyshim një përshkallëzim i planifikuar më parë”, tha zoti Merz.
“Tani duhet të tregojmë se jemi në gjendje të veprojmë në mënyrë të pavarur në Evropë”.
Evropianët ndihen se Presidenti Trump tradhtoi Ukrainën
Privatisht e nganjëherë edhe publikisht, zyrtarët evropianë po shprehen me tone kritike për atë që e konsiderojnë si tradhëti ndaj Ukrainës, e cila gëzoi përkrahjen e fuqishme të Uashingtonit që kur Rusia nisi sulmin.
Kryeministri francez Francois Bayrou tha se përplasja në Zyren Ovale shkaktoi “dy viktima”: sigurinë e Ukrainës dhe aleancën prej tetë dekadash mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në parlamentin francez, ai falenderoi Presidentin Zelenskyy për qëndrimin e palëkundur. Ai foli për “një skenë tronditëse, të karakterizuar nga vrazhdësia, dëshirë për turpërim, qëllimi i së cilës ishte ta detyronte Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që të dorëzohej nën kërcënim”.
Por evropianët po vazhdojnë të punojnë për të mbajtur Shtetet e Bashkuara në anën e tyre. Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, tha se marrëdhëniet ndërmjet Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara duhet të nisin nga e para, pasi nisma e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës është “i vetmi opsion”.
Presidenti Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin rus Putin muajin e kaluar dhe më pas njoftoi se negociatat për t’i dhënë fund luftës do të fillonin së shpejti, duke i zënë në befasi Zelenskyyn dhe aleatët e tjerë evropianë të tij, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Britaninë.
Udhëheqësit evropianë tani po bien dakord se duhet të shpenzojnë më shumë në fushën e mbrojtjes për t’i dëshmuar zotit Trump se kontinenti mund të mbrojë veten. BE-ja do të mbajë një mbledhje urgjente të enjten.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se ajo do t’i njoftojë shtetet anëtare të martën mbi planet për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes dhe kapacitetet ushtarake të BE-së.
“Në duhet një shtim i kapaciteteve të mbrojtjes, pa asnjë mëdyshje. Duam një paqe afatgjate, por paqja afatgjate mund të ndërtohet vetëm mbi fuqinë dhe fuqia nis me forcimin tonë”, tha ajo.
Rusia ka lavdëruar Presidentin Trump për ndryshimin e politikës amerikane dhe ka kritikuar zotin Zelensky që e sfidoi atë.
“Po shohim që Perëndimi, si njësi kolektive, ka filluar pjesërisht të humbasë ndjenjën e vet të bashkësisë dhe se fragmentimi i Perëndimit tashmë ka filluar”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Kanë mbetur një grup shtetesh që janë palë në luftë, shtete që po shprehin gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen e Ukrainës, për të mbështetur luftën dhe që dëshirojnë vazhdimin e armiqësive”, shtoi ai.