Lidhje

Izraeli ndalon ndihmat për Gazën


Kamionët e ngarkuar me ndihmat presin në radhë në Egjipt, në afërsi të pikës kufitare në Rafah me Rripin e Gazës, më 2 mars, 2025/AFP
Kamionët e ngarkuar me ndihmat presin në radhë në Egjipt, në afërsi të pikës kufitare në Rafah me Rripin e Gazës, më 2 mars, 2025/AFP

Izraeli bllokoi futjen e kamionëve me ndihmat humanitare në Gazë duke përshkallëzuar tensionet mes ngërçit të marrëveshjes së armëpushimit, në bazë të së cilës u pezulluan luftimet ndërmjet forcave izraelite dhe grupit militant Hamas. Kryeministri izraelit Benjamin Netanytahu tha se qeveria e tij ka miratuar propozimin e të dërguarit te posaçëm amerikan Steve Witkoff për të zgjatur armëpushimin në Gazë për 50 ditë, por po ashtu ndaloi ndihmat, duke akuzuar Hamasin se po i keqpërdor ato.

Izraeli ndalon ndihmat për Gazën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Kamionët me ndihmat humanitare formuan një radhë të gjatë në kalimin kufitar të Rafahut, ndërmjet Egjiptit dhe Gazës të dielën.

Shoferët e kamionëve me ndihma ushqimore, thanë se nuk iu ishte lejuar të kalonin kufirin dhe nuk u ishte dhënë ndonjë arsye për këtë ndalesë.

“Nuk na lejuan të kalonim, pa ndonjë arsye. Nuk e kuptoj përse është ndaluar hyrja? Bëhet fjalë për ndihma. Kur shkoja në Bosnje dhe Hercegonvinë na lejohej hyrja. Kam dërguar ndihma në Somali. Askush nuk më ndalonte. Këtu vetëm një gardh më ndan nga Gaza dhe nuk më lejohet hyrja”, thotë shoferi i kamionit, Mahmoud Mostafa Kamal.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se qeveria e tij ka miratuar një propozim nga i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për një armëpushim të përkohshëm në Gazë gjatë periudhës së Ramazanit dhe festën hebraike ‘Pesah’.

Armëpushimi do të kushtëzohej me lirimin e gjysmës së pengjeve, të gjallë dhe të vdekur, që ende mbahen nga Hamasi, në ditën e parë të tij, ndërkohë që pjesa tjetër e tyre do të lirohej në fund të armëpushimit, nëse arrihet një marrëveshje për armëpushim të përhershëm.

“Hamasi ka vendosur kushte që janë plotësisht të papranueshme. Izraeli ka vendosur të ndalojë hyrjen e furnizimeve në Gazë, të cilat u lejuan gjatë 42 ditëve të fundit. I ndaluam sepse Hamasi po vjedh furnizimet dhe po ua ndalon banorëve të Gazës t’i marrin ato. Ata po i përdorin ndihmat për të financuar makinerinë e tyre të terrorit kundër Izraelit dhe kjo është e papranueshme për ne. Do të marrim masa të tjera nëse Hamasi vazhdon t’i mbajë pengjet tona. Dhe Izraeli e di që gjatë tërë kësaj përpjekje, Amerika dhe Presidenti Trump na mbështesin”, deklaroi Kryeministri Netanyahu.

Por Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, thotë se mbetet i përkushtuar ndaj armëpushimit me të cilin palët kishin rënë dakord fillimisht, që do të duhej të hynte në fazën e dytë të negociatave, që synojnë një përfundim të përhershëm të luftës.

Hamasi po kërkon ndërhyrjen e Egjiptit dhe Katarit. Zyrtarët e këtyre shteteve akuzuan Izraelin se po shkel ligjin ndërkombëtar duke përdorur urinë si armë.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty e dënoi vendimin e Izraelit si një “shkelje flagrante dhe të qartë të të drejtës humanitare” dhe bëri thirrje për zbatimin e menjëhershëm të fazës së dytë.

Rreth 2 mijë izraelitë protestuan të dielën mbrëma në Jerusalem duke kërkuar arritjen e një marrëveshjeje që do të siguronte kthimin e të gjitha pengjeve nga Gaza.

“Duhet t’i japim fund luftës menjëherë. Siç tha Presidenti Trump, duhet t’i japim fund kësaj lufte të çmendur menjëherë, t’i lirojnë ata menjëherë. Hamasi nuk po ikën, mund të merremi me ta kur të duam. Por fillimisht, na duhet të sigurojmë lirimin e pengjeve, t’i japim fund luftës dhe t’i kthehemi jetës normale”, tha protestuesi Amiram Strulov.

Gjatë gjashtë javëve të fundit, dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes. Por përkundër problemeve të vazhdueshme, ajo u zbatua ndërkohë që këmbimi i pengjeve me të burgosur, i parashikuar të bëhej gjatë fazës së parë, përfundoi.

XS
SM
MD
LG