Lidhje

Udhëtimi epik deri në ekran i kryeveprës së Gabriel Garsia Markesit "Njëqind vjet vetmi"


Sezoni i parë i serialit televiziv bazuar në kryeveprën e shkrimtarit Gabriel Garsia Markes "Njëqind vjet vetmi", mund të shihet tashmë në platformën ‘Netflix’. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës Verónica Villafañe, ‘Netflix’ po punon aktualisht për sezonin e dytë të serialit, bazuar në kryeveprën e autorit të famshëm kolumbian.

Udhëtimi epik deri në ekran i kryeveprës së Gabriel Garsia Markesit "Njëqind vjet vetmi"
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:42 0:00

Përshtatja e parë në ekran e librit "Njëqind vjet vetmi" është një nga prodhimet më ambicioze të ndërmarra ndonjëherë në Amerikën Latine.

‘Netflix-i’ bashkëpunoi ngushtë me djemtë e shkrimtarit Gabriel Garsia Markes duke i bërë homazh vizionit të tij mbi historinë e familjes Buendía, si dhe qytetin mitik të Makondos. Regjisori është përpjekur të përcjellë mënyrën se si autori ndërthur historinë tragjike të Kolumbisë me realizmin magjik, absurdin dhe humorin.

“Kapja e kësaj esence përmes lëvizjes së kamerës ishte thelbësore, pasi i dha serialit një shkallë, një vlerë dhe nivel prodhimi që vjen nga Amerika dhe Evropa, e që nuk e kishim parë deri sot në Amerikën Latine”, thotë regjisori Alex García López.


Alex García López drejtoi pesë seritë e para, ku eksplorohen jetët e personazheve të munduar nga çmenduria, dashuritë e parealizuara, lufta e bestytnitë.

Gjatë gjithë jetës së tij, Garsia Markes refuzoi ofertat për të përshtatur romanin e tij në një film, pasi besonte se ajo çka kishte rrëfyer nuk mund të përmblidhej në një film prej dy apo katër orësh.

Djali i tij, Rodrigo Garsia, një nga producentët ekzekutivë të serialit, thotë se më në fund kishte ardhur koha.

"Kemi folur mbi mundësinë për të përshtatur 'Njëqind vjet vetmi' në një serial ose film që nga viti 1968… Po ndodh tashmë sepse u krijuan kushtet. Po e bëjmë në spanjisht, me shumë episode, duke përdorur burime të konsiderueshme në Kolumbi dhe një ekip të talentuar nga Amerika Latine. Jam i entuziazmuar që më në fund u realizua”, thotë ai.


Për shkak të kompleksitetit të historisë dhe kërkesave të prodhimit, seriali u nda në dy sezone, me nga tetë episode secili. Për regjisorin, puna krah për krah me djalin e Garsia Markesit, gjithashtu regjisor, ishte një përvojë unike dhe frymëzuese.


“Ai na dha bekimin dhe e vetmja gjë që kërkoi ishte që të mos lejonim që pesha e librit të babait të tij të na rëndonte, por të ndiqnim intuitën tonë, ta shijonim atë”, thotë regjisori Alex García López.


Për aktorët, hyrja në botën e Makondos është një mundësi e papërsëritshme. Shumë gjetën lidhje personale me personazhet e tyre.

Susana Morales luan Ursulën, kur ajo ishte në moshë të re, matriarken e fortë që mban bashkë familjen Buendía, goditur ndër gjenerata nga humbjet e trazirat.


"Úrsula më mësoi se dobësia mund të marrë forma të ndryshme. Ajo është delikate, por mbështjellë nga një mburojë force", thotë zonja Morales.


Marco González luan José Arcadio Buendíën, themeluesin vizionar të Makondos. Ai thotë se vendosmëria e personazhit të tij rezonon thellësisht me të.


"Do të hidhesha nga një shkëmb dhe do të shkoja deri në fund të botës për të ndjekur atë që më thotë zemra... Ky është një thesar që José Arcadio ndau me mua", thotë ai.


Seriali ka rezultuar një sukses global dhe sipas Netflix-it ka siguruar më shumë se 54 miliardë dollarë për ekonominë e Kolumbisë.

Puna për serialin e dytë është në vazhdim e sipër, por gjithçka e kryer më parë, nga xhirimet që morën 1 vit tek montazhi e nxjerrja në transmetim, janë një bazë e mirë për ta sjellë atë sa më shpejt në ekran.

XS
SM
MD
LG