Shkëmbimet e ashpra mes Presidenti Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u bënë shkak për anulimin e një konference të përbashkët për shtyp të dy udhëheqësve si dhe tërheqjen e një projekt-marrëveshjeje mbi mineralet, mbi të cilët palët kishin rënë dakord pak ditë më parë.
Presidenti Zelenskiy u largua nga Shtëpia e Bardhë pas debatit të nxehtë, ku Presidenti Trump e akuzoi presidentin ukrainas për mungesë respekti ndaj Shteteve të Bashkuara, ndërsa ky i fundit sfidoi udhëheqësin amerikan për zbutje të qëndrimit ndaj Presidentit rus Putin.
Pas takimit, në një postim në median sociale, Presidenti Trump shkruajti se “kam arritur në përfundimin që Presidenti Zelenskyy nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh më të madh në negociata. Unë nuk dua avantazhe, dua paqe. Ai ofendoi Shtetet e Bashkuara në Zyrën Ovale. Ai mund të vijë përsëri kur të jetë gati për paqe”, shkruante Presidenti Trump.
Vizita e zotit Zelensky në Uashington erdhi mes përpjekjesh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Palët pritej të nënshkruanin dhe projekt-marrëveshjen për mineralet e cila do t’i jepte një qasje të gjerë Shteteve të Bashkuara tek pasuritë minerale të Ukrainës.
Por ngjarjet morën një tjetër rrjedhë kur dy presidentët u përplasën në mënyrë të vazhdueshme në komentet e tyre në zyrën ovale ndërsa Presidenti Zelensky i kërkoi Presidentit Trump të jetë i kujdesshëm me Rusinë, ndërsa zoti Trump e paralajmëroi atë me tërheqje të mbështetjes amerikane.
Po kështu Presidenti Zelensky e sfidoi hapur zotin Trump për zbutje të qëndrimit ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.
Ai kundërshtoi argumentet e zotit Trump se qytetet ukrainase janë kthyer në rrënoja nga lufta tre vjeçare. Presidenti Trump theksoi se udhëheqësi rus Putin dëshiron të bëjë një marrëveshje.
Por Presidenti Zelensky i tha Presidentit Trump se zotimeve për paqe të Presidentit rus Vladimir Putin nuk mund t’u besohet, duke renditur rastet kur udhëheqësi rus ka dalë nga fjala. Presidenti Trump tha se Presidenti rus Putin nuk i ka shkelur marrëveshjet me të.
“Duhet të jesh më mirënjohës”, “po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore”, i tha Presidenti amerikan homologut të tij Zelensky.
Zoti Trump e kritikoi presidentin ukrainas, pasi Nënpresidenti JD Vance, njëri prej zërave më skeptikë të administratës ndaj Ukrainës, i tha zotit Zelensky se po tregonte mungesë respekti, duke debatuar me presidentin amerikan në Zyrën Ovale para mediave amerikane.
“A ke thënë të paktën një herë ‘faleminderit’?!, e pyeti Nënpresidenti Vance zotin Zelensky, duke e kritikuar se ka filluar një "turne propagande".
Presidenti Donald Trump i tha Presidentit Zelensky se ose duhej të bënte një marrëveshje, ose Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdonin ta mbështesnin më tej.
Presidenti Zelensky i kërkoi homologut amerikan Trump që të “mos bënte kompromise me një vrasës”, duke iu referuar udhëheqësit rus.
Megjithë përfundim e papritur të takimit, udhëheqësi ukrainas iu drejtua mediave sociale për t'i dhënë një mesazh publikut amerikan dhe drejtuesve të vendit.
"Faleminderit, Amerikë", shkruajti zoti Zelensky në platformën e mediave sociale X. "Faleminderit @Potus, Kongresit, dhe popullit amerikan. Ukrainës i nevojitet paqe e drejtë dhe e qëndrueshme dhe po punojmë pikërisht për këtë".
Presidenti Zelensky, i cili mori armatime me vlerë prej miliarda dollarësh dhe mbështetje morale amerikane nga administrata Biden për luftën kundër Rusisë, po përballet me një qëndrim krejtësisht të ndryshëm nga administrata Trump.
Presidenti amerikan dëshiron përfundimin e shpejtë të luftës trevjeçare, përmirësimin e lidhjeve me Rusinë dhe rikuperimin e parave të shpenzuara për të mbështetur Ukrainën.
Reagimet
Udhëheqësi i demokratëve Hakeem Jeffries tha në një deklaratë se: “Për tre vite, Presidenti Zelensky dhe populli ukrainas kanë qëndruar në anën e demokracisë, lirisë dhe të vërtetës. Suksesi i tyre është në të mirë të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Duhet të qëndrojmë me Ukrainën deri sa të arrihet fitorja”.
Ndërprerja publike e bisedimeve u përshëndet nga zyrtarët rusë.
"Derri i pafytyrë më në fund mori shuplakën e duhur në Zyrën Ovale”, shkruajti në rrjetin X, Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë.
Zoti Medvedev shtoi se Presidenti amerikan Trump “ka të drejtë: regjimi i Kievit po luan ‘bixhoz me Luftën e Tretë Botërore’.”
Shefi i kabinetit të zotit Zelenskyy, Andriy Yermak, mbrojti udhëheqësin ukrainas.
"Presidenti po lufton për vendin tonë, për këdo që qëndron për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", shkruajti zoti Yermak në rrjetin X. "Pa garanci reale, lufta do të rikthehet".
Evropa
Zyrtarët evropianë, përfshirë ata në Francë, Gjermani, Finlandë dhe Holandë, gjithashtu dolën në mediat sociale për të shprehur mbështetje për Ukrainën.
“Ukraina është Evropë! Ne i qëndrojmë pranë Ukrainës”, u shpreh në rrjetin X, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
“Ne do ta shtojmë mbështetjen tonë për Ukrainën në mënyrë që ata të vazhdojnë të luftojnë kundër agresorit”, tha zonja Kallas. “Sot u bë e qartë se bota e lirë ka nevojë për një udhëheqës të ri. Varet nga ne, evropianët, që ta përballojmë këtë sfidë”.
Informacionet mbi këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve 'Reuters' dhe 'AP'