Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM) njoftoi të enjten se gazetarja e kthyer në politikane, Kari Lake, do t'i bashkohet asaj, në rolin e këshilltares së posaçme.
Zonja Lake ka një përvojë 30 vjeçare në gazetari. Në muajin dhjetor Presidenti Donald Trump tha se synonte që zonja Lake të emërohej drejtore e Zërit të Amerikës.
Emërimin zyrtar të zonjës Lake në këtë post duhet ta bëjë Drejtori Ekzekutiv i USAGM, por kandidati i emëruar nga Presidenti Trump, aktivisti politik konservator dhe shkrimtari L. Brent Bozell i III-të – është ende në pritje të seancës së konfirmimit në Senat.
Po kështu pritet të përzgjidhet dhe një bord i ri dypartiak, i cili në bashkëpunim me drejtorin e ri ekzekutiv, emëron ose shkarkon drejtuesit e agjencive të ndryshme të transmetimeve ndërkombëtare, siç janë mes të tjerash Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë.
Vendosja e zonjës Lake në pozitën e këshilltares së posaçme u njoftua nga Roman Napoli nëpërmjet një email-i drejtuar personelit. Zoti Napoli aktualisht kryen detyrat e shefit ekzekutiv të USAGM-së, pas dorëheqjes nga kjo pozitë të Amanda Bennett-it.
Zonja Lake “sjell një përvojë të pasur në gazetarinë televizive. Ajo ka shërbyer për dy dekada si gazetare në kanale të njohura televizive në disa shtete”, shkruante zoti Napoli.
Duke nënvizuar arritjet e saj, zoti Napoli tha se zonja Lake ka intervistuar udhëheqës të vendit, mes tyre dy presidentë amerikanë, si dhe është fituese e dy çmime prestigjioze ‘Emmy’, për raportim lajmesh të jashtme.
“Si këshilltare e lartë e administratës Trump, Kari Lake do të ndihmojë agjencinë USAGM të zbatojë politikat dhe strategjitë e nevojshme të riorganizimit, si dhe përmirësimit të rrjeteve që mbikëqyr”, thuhej në email.
USAGM-ja mbikëqyr gjithë transmetimet publike ndërkombëttre të Shteteve të Bashkura të dedikuara për transmetim lajmesh dhe luftimin e censurës, të cilat së bashku kanë një audiencë javore prej më shumë se 420 milionë ndjekësish. Në to përfshihet Zëri i Amerikës, Zyra e Transmetimeve për Kubën, Radio Evropa e Lirë, Radio Azia e Lirë, Rrjetet e Transmetimeve për Lindjen e Mesme, Fondi i Teknologjisë së Hapur dhe Fondi i Medias ‘Frontline’.
Krahas mbikëqyrjes së rrjeteve të pavarura, USAGM ka si mision të "informojë, të angazhojë, e të lidhë njerëzit në mbarë botën, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë".
Në emailin e tij drejtuar personelit, zoti Napoli tha se përvoja e zonjës Lake "do të jetë e paçmueshme ndërsa ne vazhdojmë me misionin tonë për të paraqitur qartë dhe në mënyrë efektive politikat e administratës Trump në mbarë botën".
Departamenti mbi Çështjet Publike i USAGM-së nuk iu përgjigj një kërkese për koment të Zërit të Amerikës.
Rregullorja e brendshme, që mbron mënyrën e mbledhjes dhe raportimit të lajmeve, parandalon USAGM që të përfshihet në punën e agjencive të lajmeve që ajo mbikëqyr.
Agjencitë nën mbikëqyrjen nga USAGM-së, kanë luftuar dezinformimin dhe propagandën që nga transmetimet e para të Zërit të Amerikës në kohën e Gjermanisë naziste, në Luftën e Dytë Botërore. Por mbulimet e saj ndër vite kanë nxitur edhe kritika lidhur me dyshimet për mbulim të njëanshëm, keqmenaxhim, e probleme të lidhura me procedurat e verifikimit të personelit të punësuar.
Zonja Lake iu referua disa prej kritikave drejtuar USAGM-së në fjalën e saj në Konferencën e Veprimit Politik Konservator që u mbajt javën e kaluar.
Zonja Lake tha se si drejtore e Zërit të Amerikës do ta përqëndronte punën e saj që agjencia të bënte "raportime të sakta e të vërteta".
“Zëri i Amerikës i ka treguar botës historinë e Shteteve të Bashkuara për 83 vite. Ndonjëherë mbulimi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ndonjëherë ka qenë për të ardhur keq”, tha zonja Lake. “Ne jemi në një luftë informacioni dhe nuk ka armë më të mirë sesa e vërteta dhe besoj se Zëri i Amerikës mund të jetë ajo armë”.
Ndër ata që kanë bërë thirrje që agjencia të mbyllet është edhe këshilltari i posaçëm i zotit Trump, Elon Musk.
"Ne nuk do të bëhemi televizioni i Trump-it", tha ajo "por me siguri nuk do të jemi televizioni që shan Trumpin gjithë ditën, këtë mund ta gjeni me bollëk tek rrjetet CNN, MSNBC, PBS, (emisioni) '60 Minutes’, (gazetat) ‘The Washington Post’ dhe ‘The New York Times’.
Pas përvojës në gazetari, vitet e fundit zonja Lake ka hyrë në politikë.
Ajo u largua nga stacioni televiziv në Arizona për shkak të, siç u shpreh ajo, dezinformimit në lidhje me pandeminë. Zonja Lake kandidoi, por pa sukses për pozitën e guvernatores së Arizonës dhe ngriti padi në gjykatë, duke mos pranuar humbjen. Po kështu edhe kandidimi i saj për një vend në Senat ishte i pasuksesshëm.