Lidhje

Protesta masive në  Greqi në dy vjetorin e përplasjes së trenave ku humbën jetën  57 persona


Greqia u përfshi sot nga protesta masive dhe një grevë e përgjithshme në dy vjetorin e përplasjes së trenave në Tempi ku humbën jetën 57 persona, mes të cilëve edhe 6 emigrantë shqiptarë.

Protestat u thirrën nga familjet e viktimave që po kërkojnë drejtësi për aksidentin hekurudhor që është më i rëndi në historinë e Greqisë.

Gjatë protestave në Athinë u shënuan incidente të dhunshme mes protestuesve dhe policisë ku pati dhjetëra të arrestuar dhe persona të plagosur.

Protesta masive në Greqi në dy vjetorin e përplasjes së trenave
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00

Qindra mijëra njerëz iu bashkuan protestave masive në të gjithë Greqinë për të kërkuar drejtësi për 57 personat e vrarë më 28 shkurt të vitit 2023, kur një tren pasagjerësh u përplas kokë më kokë me një tren mallrash në Tempi. Mes viktimave ishin edhe 6 emigrantë shqiptarë që jetonin prej vitesh në Greqinë fqinje.

Protestat, sipas analistëve nga Athina, janë nxitur nga pakënaqësia publike kundër mosveprimit të qeverisë së kryeministrit Kostandin Mitsotakis për të ndriçuar ngarjen dhe për të vënë përpara drejtësisë fajtorët.

Kritikët thonë se politikanët duhet të mbajnë përgjegjësi për dështimet që çuan në përplasjen e dy trenave, ndërsa deri më tani vetëm zyrtarët e hekurudhave janë akuzuar për ndonjë krim.

Protestuesit në Athinë hodhën bomba molotov dhe u përleshën me policinë ku të paktën 41 persona u arrestuan dhe 20 persona të tjerë morën kujdes mjekësor gjatë incidenteve të dhunshme jashtë Parlamentit grek dhe nëpër rrugët aty pranë.

Policia hodhi gaz lotësjellës dhe granata tymuese si dhe përdori ujin me presion për të shpërndarë turmat e protestuesve në disa zona.

Protestuesit në Athinë duke brohoritur “Ju numëroni fitimet, ne numërojmë jetët”, mbanin tullumbace të zeza dhe pankarta antiqeveritare.

Shërbimet përkujtimore u mbajtën në kishat ortodokse në Athinë për viktimat, që përfshinin shumë studentë të universitetit të cilët të cilët po ktheheshin nga një fundjavë e gjatë dhe ndodhehin në trenin e udhëtarëve që u përplas me trenin e mallrave.

Familjet e viktimave u kishin kërkuar protestuesve që të qëndronin paqësor dhe të mbanin fokusin te kujtimi dhe jo te politika.

Bizneset private dhe shërbimet publike janë prekur gjithashtu, ku shumë dyqane në Athinë qëndruan të mbyllura, duke lënë mesazhe solidariteti për familjet e viktimave para dritareve.

Sindikatat greke thirrën një grevë të përgjithshme në mbështetje të protestave masive të udhëhequra nga familjarët e viktimave.

Drejtuesit e Konfederatës së Përgjithshme të Punëtorëve grekë, e cila është më e madhja në vend dhe ka mbështetur grevën e së premtes, kanë kërkuar që e vërteta e plotë të dalë në dritë dhe se përgjegjësit, pavarësisht nga pozita, duhet të dalin para drejtësisë" .

Aksidenti i dy trenave në Tempi është më i rëndi hekurudhor në historinë e Greqisë, i cili krahas personave që humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë që u plagosën ekspozoi mangësi në infrastrukturën e transportit hekurudhor.

Përplasja hekurudhore kishte nxjerrë në pah sipas punonjësve të këtij sektori kërkesat e kahershme për kushte më të sigurta pune. Njëmbëdhjetë nga njerëzit që vdiqën në fatkeqësinë e Tempi ishin punonjës të hekurudhës.

Mjetet greke të informimit njoftuan se protestat u zhvilluan në më shumë se 300 qytete dhe qyteza në Greqi dhe jashtë saj.

Si pasojë e protestave dhe grevës së përgjithshme fluturimet ajrore dhe shërbimet hekurudhore u anuluan, tragetet u ndaluan dhe transporti publik në të gjithë vendin u ndërpre.

Qarkullimi i mjeteve u bllokua të premten për 24 orë në të gjitha pikat kufitare të Greqisë me Shqipërinë pasi doganierët grekë iu bashkuan grevës së përgjithshme që përshiu mbarë Greqinë.

Pamjet me dron në pikën e Kakavijës, më më e madhja mes të dy vendeve , flasin se vendkalimi kufitar është boshatisur të premten plotësisht nga lëvizja e mjeteve.

XS
SM
MD
LG