Lidhje

Trump pret kryeministrin britanik për bisedime mbi Ukrainën 


Presidenti amerikan Donald Trump priti të enjten në Shtëpinë e Bardhë Kryeministrin britanik Keir Starmer. Gjatë takimit të dy udhëheqësit shpalosën vizionet e tyre mbi përfundimin e luftës brutale trevjeçare në Ukrainë.

Siç njofton korrepondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, të dy vendet aleate diskutuan mbi tregtinë dhe tarifat.

Trump pret kryeministrin britanik për bisedime mbi Ukrainën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Zoti Trump ritheksoi kërkesën që e kishte qysh në mandatin e parë për aleatët e NATO-s, që të kontribuojnë më shumë për sigurinë e tyre dhe që të varen më pak tek mbështetja amerikane.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Kryeministri britanik Keir Starmer, udhëheqësit e dy vendeve që krijuan një raport të veçantë në betejën kundër nazistëve dhe fashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, tetë dekada më parë, u takuan në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar kërcënimet me të cilat përballet Evropa, ndërsa sulmi rus kundër Ukrainës hyn në vitin e katërt.

Presidenti Trump theksoi kushtin e tij për ta mbështetur Ukrainën:

Të premten, tha ai, do të takohet me presidentin ukrainas për të prezantuar një marrëveshje paraprake që i jep SHBA-së qasje tek mineralet e rralla të Ukrainës.

“Taksapaguesit amerikanë do të rimburësohen efektivisht për paratë, qindra miliarda dollarët e shpenzuara për ta ndihmuar Ukrainën që të mbrohet, gjë që, në vetvete, është një gjë shumë e denjë për t’u bërë”, tha zoti Trump.

Kryeministri Starmer tha se me Presidentin Trump diskutoi mbi një plan “të vështirë, por të drejtë” paqeje “të mbështetur nga forca” për të penguar agresionin e ardhshëm rus. Ai tha gjithashtu se është gati të dërgojë trupa dhe aeroplanë për të mbështetur një marrëveshje.

Në përgjigje të kërkesës së zotit Trump që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kryeministri britanik u pajtua se Evropa duhet të bëjë më shumë. Më herët gjatë javës, ai njoftoi një rritje të papritur të shpenzimeve të mbrojtjes, që ende është shumë larg pritshmërive të zotit Trump.

Ai foli edhe për kushtet e tij për një zgjidhje të drejtë.

“Nuk mund të ketë paqe që shpërblen agresorin ose inkurajon regjimet si Irani. Ne pajtohemi se historia duhet të jetë në anën e atij që sjell paqen, jo pushtuesit. Pra, situata nuk ka si të jetë më serioze dhe jemi të vendosur të punojmë së bashku për të ofruar një marrëveshje të mirë”, tha zoti Starmer.

Uniteti është kyç, thonë analistët, por paralajmërojnë për sfida.

“Më e rëndësishmja, a kanë ata harmoni? A kanë një vizion të përbashkët? A mund të ruajnë njëfarë qëllimi të përbashkët? A mund të shmangin retorikën përçarëse që Presidenti Trump përdori javën e kaluar, që kritikoi kaq ashpër Presidentin Zelensky të Ukrainës? A mund të shohim një strategji perëndimore me të cilën do të pajtoheshin të gjitha vendet kryesore të NATO-s?”, thotë Michael O’Hanlon nga Instituti Brookings.

Ndërkohë, Presidenti rus Vladimir Putin, i cili priti në Kremlin një delegacion të lartë të Koresë së Veriut, kundërshton idenë e dërgimit të trupave paqeruajtësve në Ukrainë. Agjencia e spiunazhit e Koresë së Jugut raportoi të enjten se Pheniani duket se ka dërguar trupa shtesë për të ndihmuar Rusinë në luftën kundër Ukrainës.

Udhëheqësi rus tha të entjen se ekziston një gatishmëri reciproke e Moskës dhe Uashingtonit për të bashkëpunuar më tej, pas kontaktit të drejtpëdrejt me zotin Trump. Ai gjithashtu fajësoi, siç u shpreh “elitën perëndimore”, për përpjekjet për të dëmtuar këtë marrëdhënie.

Presidenti Trump ka paralajmëruar një takim me homologun rus në Arabinë Saudite, por ende nuk ka përcaktuar një datë.

XS
SM
MD
LG