Zyra e kryeministrit të Kosovës njoftoi të premten se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që ta detyrojë Prokurorinë e Posaçme të marrë dëshminë e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, brenda zyrës së tij në qeveri, si dëshmitar në një rast që lidhet me ‘rezervat shtetërore’.
Në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar në një rast që nuk është bërë publik nga prokuroria ndërsa mbështetësit e kryeministrit e quajtën si një veprim të motivuar politikisht, në kohën kur vendi po përgatitej për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
Por, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi në orët e pasdites se ditë më parë kishte lëshuar një urdhër me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, që e detyron kryeministrin Albin Kurti, të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me 4 mars në orën 10:00, në Prokurori.
Gjykata tha se me datë 28 shkurt, përmes emalit ka marrë përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit në të cilën thuhet se zoti Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij dhe se “kërkesa e tij që kjo të ndodhë në mjediset e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.
Javën e kaluar Prokuroria e Posaçme e Kosovës kërkoi nga një gjykatë në Prishtinë që të urdhërojë kryeministrin Kurti të paraqitet në prokurori për të dëshmuar.
Në një letër dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zyra e Kryeministrit thekson se zoti Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij dhe se “kërkesa e tij që kjo të ndodhë në mjediset e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia”.
Në dritë të kësaj, "me respekt kërkojmë nga Gjykata që të detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”.
Kërkesa e qeverisë pasoi atë të javës së kaluar të Prokurorisë së Posaçme të Kosovës e cila kërkoi nga një gjykatë në Prishtinë që të urdhërojë kryeministrin Kurti të paraqitet në prokurori për të dëshmuar.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës e thirri kryeministrin Albin Kurti të dëshmojë në një rast që lidhet me një vepër penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës por pa dhënë ndonjë hollësi rreth rastit. Me këtë nen sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Zyra e kryeministrit të Kosovës tha se ka dyshime të forta që thirrja nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik për shkak të siç thuhet, dështimit për vite me radhë në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të trajtimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit.
“Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit”, thuhet në letrën e Zyrës së kryeministrit të Kosovës.
Kjo zyrë tha se ka raste të dokumentuara në Kosovë por edhe më gjerë, ku zyrtarë të lartë institucionalë janë intervistuar në mjediset e tyre dhe jo në Prokurori.
Thirrja e prokurorisë së Posaçme për kryeministrin Albin Kurti ka të bëjë më një proces rreth “rezervave shtetërore”, rreth të cilit në gusht të vitit 2023 qenë arrestuar tre persona, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këta artikuj mungojnë në treg.