Lidhje

Trump: Putin do ta mbajë fjalën nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës


Presidenti Donald Trump priti Kryeministrin britanik Keir Starmer në Shtëpinë e Bardhë të enjten për të diskutuar mbi konfliktin Ukrainë dhe lidhjet tregtare dypalëshe, mes kërcënimeve për tarifa të udhëheqësit amerikan ndaj Evropës dhe kërkesave që kontinenti të mbështetet më pak tek Uashingtoni, lidhur me sigurinë e tij.

Përpara takimit, Presidenti Trump tha se nuk do të flasë për detajet e një force paqeruajtëse, pa u arritur një marrëveshje.

Shpresoj që ta kemi atë problem kur të shqetësohemi për ruajtjen e paqes. Ne duhet të arrijmë atje së pari”, u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë".

Edhe mes aleatëve evropianë ka dallime lidhur me dislokimin në të ardhmen të trupave në Ukrainë. Britania e Madhe mbështet një propozim të udhëhequr nga Franca, ndërsa vende të tjera, përfshirë Poloninë, e kanë përjashtuar atë.

"Jam absolutisht i bindur se kemi nevojë për një paqe të qëndrueshme, jo një armëpushim, dhe që kjo të ndodhë, ne kemi nevojë për garanci sigurie", tha zoti Starmer, duke shtuar se Britania do të bëjë pjesën e saj për të mbështetur këtë sipërmarrje, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën, por vetëm me mbështetjen e SHBA-së.

Po të enjten Presidenti Donald Trump tha se ka besim se udhëheqësi rus Vladimir Putin do ta “mbajë fjalën” nëse arrihet një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti amerikan tha se bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën për një marrëveshje paqeje "kanë përparuar mirë" dhe vlerësoi Rusinë për qëndrimin e saj në bisedime.

"Mendoj se Rusia ka vepruar shumë mirë... Mendoj se kemi përparuar shumë mirë në lidhje me marrëveshjen, por nuk kemi arritur ende një marrëveshje," tha zoti Trump.

Kur u pyet nëse mund t'i besohej zotit Putin, Presidenti Trump u përgjigj: "Beso e verifiko".

Kryeministri Starmer vizitoi Shtetet e Bashkuara, në përpjekje për të bindur Presidentin Trump se një paqe e qëndrueshme në Ukrainë është e mundur vetëm nëse Kievi dhe udhëheqësit evropianë janë në tryezën e bisedimeve me Moskën.

Zoti Starmer u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të ofrojnë një garanci sigurie për çdo forcë evropiane që mund të marrë pjesë në një rol të mundshëm paqeruajtës në Ukrainë në përfundim të bisedimeve të paqes, për të cilat ka bërë thirrje zoti Trump që kur mori detyrën muajin e kaluar.

Kryeministri britanik falënderoi Presidentin Trump që i hapi rrugë "mundësisë për një marrëveshje paqeje".

Vizita e tij, që vjen disa ditë pas vizitës së presidentit francez Emmanuel Macron, pasqyron shqetësimin në rritje në Evropë se përpjekja e zotit Trump për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë sa më shpejt, sinjalizon gatishmërinë e tij për t'i bërë lëshime Presidentit rus Vladimir Putin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të premten dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje me zotin Trump për mineralet kritike të Ukrainës. Presidenti Trump tha se kjo marrëveshje do të ishte një garanci sigurie për Ukrainën.

Të enjten zoti Starmer i përcolli një ftesë për vizitë shtetërore Presidentit Trump në emër të Mbretit Charles, të cilën zoti Trump e pranoi.

Kryeministri britanik tha se ftesa për një vizitë të dytë shtetërore, duke pasur parasysh një vizitë të tillë të tij gjatë mandatit të parë të zotit Trump, është “historike” dhe “e paprecedentë”.

XS
SM
MD
LG