Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts pezulloi të mërkurën vendimin e një gjykatësi federal që urdhëronte administratën e Presidentit Donald Trump të paguante fondet për kontraktorët dhe përfituesit e programeve të ndihmave për vendet e tjera.
Gjykatësi Roberts lëshoi një urdhër të përkohshëm duke e pezulluar vendimin e gjykatësit të Uashingtonit, Amir Ali, i cili i kishte vendosur afat qeverisë deri në mesnatën e së mërkurës.
Gjykatësi Roberts nuk dha një arsyetim për urdhrin e tij, i njohur si një pezullim administrativ, që do t’i jepte më shumë kohë gjykatës të shqyrtonte kërkesën zyrtare të administratës për bllokimin e vendimit të gjykatësit Ali.
Gjykatësi Roberts kërkoi që deri në mesditën e së premtes të merret një përgjigje nga pala paditëse – organizatat kontraktuese apo përfituese nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Ndihmat Ndërkombëtare (USAID).
Urdhri u dha pasi administrata e Presidentit Trump u shpreh në një dokument të paraqitur në gjykatë të mërkurën se ka marrë vendimet përfundimtare, duke i dhënë fund pjesës më të madhe të kontratave dhe fondeve të ndihmave amerikane për vendet e tjera dhe se nuk mundet t’i përmbahet urdhrit të gjykatësit Ali.
Administrata po shkurton mbi 90% të kontratave të USAID-it për ndihmat për vendet e tjera dhe mbi 58 miliardë dollarë nga ndihmat e përgjithshme amerikane në mbarë botën, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, duke i quajtur shkurtimet pjesë e “Axhendës Amerika e Para” të Presidentit Trump.
Çështja u krijua nga dy padi të paraqitura nga organizatat e ndihmave, të cilat akuzojnë se agjencitë kanë ngrirë në mënyrë të paligjshme të gjitha pagesat për ndihmat për vendet e tjera.
Administrata e Presidentit Trump i ka mbajtur këto pagesa përgjithësisht të ngrira, megjithë vendimin e datës 13 shkurt të gjykatësit Ali që udhëzonte lëvrimin e fondeve, si dhe të disa urdhrave pasues që kërkonin zbatimin e këtij vendimi nga administrata deri në mesnatën e së mërkurës.
Përfaqësuesit ligjorë të Departamentit amerikan të Drejtësisë janë shprehur se administrata ka të drejtën të pezullojë marrëveshjet e saj, ndërsa i shqyrton ato për të përcaktuar nëse janë në përputhje me politikën e administratës.
Procesi i rishikimit është përfunduar tashmë, tha administrata në dokumentin e paraqitur. Administrata thotë se USAID-i ka marrë vendime përfundimtare për të anuluar rreth 5,800 fonde projektesh, ndërsa ka mbajtur mbi 500, dhe se Departamenti i Shtetit ka anuluar rreth 4,100 projekte, ndërsa ka mbajtur rreth 2,700.
Një zyrtar i administratës shprehej në një dokument të mëparshëm gjyqësor se arsyet për përfundimin e kontratave përfshijnë se ato kishin lidhje me diversitetin, barazinë, qasjen dhe gjithëpërfshirjen, ose për shkak se u gjykuan të ishin një shpërdorim.
Presidenti Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër për programet që lidhen me diversitetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen, duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv në ditën e tij të dytë në detyrë muajin e kaluar, ku udhëzoheshin drejtuesit e agjencive federale t’i anulonin këto politika.
Administrata tha të mërkurën se Sekretari i Shtetit Marco Rubio kishte urdhëruar që faturat e papaguara për punën e bërë nga palët paditëse përpara datës 24 janar, kur filloi ngrirja e pagesave, të "përshpejtoheshin për t’u paguar, pa procedurat e zakonshme të verifikimit, në një përpjekje në mirëbesim për të zbatuar" urdhrin e gjykatësit Ali. Ai tha se ndërsa disa pagesa do të bëhen të mërkurën, për pagesat e plota mund të duhen javë.
Ngrirja e fondeve dëmton përpjekjet humanitare
Presidenti Trump urdhëroi një pauzë 90-ditore për të gjitha ndihmat për vendet e tjera në ditën e tij të parë në detyrë muajin e kaluar. Ky urdhër dhe urdhrat pasues që ndalojnë operacionet e USAID-it në mbarë botën, kanë rrezikuar shpërndarjen e ushqimit dhe të ndihmave mjekësore jetike, duke i vendosur në kaos përpjekjet globale të ndihmave humanitare.
USAID-i administron rreth 60% të ndihmave amerikane për vendet e tjera dhe ka shpërndarë 43.79 miliardë dollarë në vitin fiskal 2023. Sipas një raporti të Shërbimit Kërkimor të Kongresit këtë muaj, me një fuqi punonjëse prej rreth 10,000 personash, nga të cilat rreth dy të tretat shërbejnë jashtë shtetit, USAID-i ka ndihmuar rreth 130 vende.
Administrata e Presidentit Trump tha të dielën se po i vendoste me leje administrative të paguar pothuajse të gjithë punonjësit e USAID-it, përveç drejtuesve dhe personelit jetik dhe se do të eliminonte 1600 pozicione. Sindikatat e punonjësve kanë ngritur padi për të kundërshtuar shkurtimet, megjithëse gjykata javën e kaluar lejoi që shkurtimet të vazhdonin.
Gjykatësi Ali, i cili u emërua nga ish-Presidenti pararendës demokrat Joe Biden, lëshoi urdhrin e tij të përkohshëm për të parandaluar dëmtimin e pariparueshëm ndaj paditësve, ndërsa shqyrton pretendimet e tyre.
Paditësit pretendojnë se Presidenti Trump ka tejkaluar autoritetin e tij sipas ligjit federal dhe Kushtetutës amerikane, duke çmontuar në mënyrë efektive një agjenci të pavarur dhe duke anuluar shpenzimet e autorizuara nga Kongresi.
Paditësit kanë thënë se administrata nuk ka bërë asgjë për të respektuar masën e ndalimit dhe disa kanë thënë se do të mbyllen brenda disa ditësh nëse nuk paguhen.
"Është tronditëse se deri ku është e gatshme të shkojë qeveria për të shkelur një urdhër gjykate, të gjitha me qëllimin për t'i dhënë fund ndihmës humanitare për shpëtimin e jetëve", tha të mërkurën Allison Zieve, avokatja që përfaqëson dy palë paditëse, Koalicionin e Aktivizimit për Vaksinat për AIDS-in dhe Rrjetin për Zhvillimin e Gazetarisë.
Paditës të tjerë përfshijnë kompaninë ndërkombëtare të zhvillimit DAI Global dhe organizatën e ndihmës për refugjatët HIAS.
Gjykatësi Ali dhe një tjetër gjykatës federal në Rhode Island, në një çështje të veçantë për ngrirjen më të gjerë të pagesave federale, kanë kritikuar administratën e Presidentit Trump për moszbatimin e urdhrave të tyre. Administrata në të dyja rastet është shprehur se po përpiqet vërtet të interpretojë dhe të zbatojë urdhrat.