Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dënoi sot me 1 vit e 6 muaj burgim ish kryebashkiakun demokrat të Pogradecit, Eduard Kapri, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij reduktohet në 1 vit burgim, i cili u konvertua në 2 vjet shërbim prove. Zotit Kapri i ndalohet gjithashtu të ushtrojë funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Nën të njejtën akuzë dhe me një dënim prej 1 viti burgim, të konvertuar në 1 vit e 4 muaj shërbim prove u dënuan dhe dy ish zyrtarë të Bashkisë së Pogradecit, Besjan Meço, ish jurist dhe Besmira Niko, ish specialist në Drejtorinë e Planifikimit dhe Zhvillimit të territorit.
Që të tre i lidh leja e dhënë për vijimin e punimeve të një pallati në qytetin e Pogradecit, i cili kishte nisur në vitin 2009 nga kompania “Gedi”, në zotërim të vëllait të zotit Kapri, ku ky i fundit kishte qenë administrator. Punimet ishin pezulluar në vitin 2014 nga Bashkia, për shkak të shkeljes së afateve. Por me zgjedhjen e tij si kryebashkiak në vitin 2015, zoti Kapri ndonëse “në konflikt të hapur interesi”, sipas prokurorisë, dhe ndërsa çështja ishte në Gjykatën Administrative të Apelit, lejoi, një vit më pas, vijimin e punimeve të cilat rezultuan dhe me dy kate shtesë, përtej lejes fillestare.
Sipas Prokurorisë së Posaçme “ky ndërtim u lejua në kundërshtim me ligjin “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, me Kodin e Procedurës Administrative, dhe në shkelje të një vendimi të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Korçë, duke krijuar kështu përfitime materiale të padrejta për shoqërinë “Gedi” sh.p.k. pasi u shtua sipërfaqja ndërtimore me dy kate”.