Lidhje

Aktori Gene Hackman dhe gruaja e tij gjenden të vdekur në shtëpi


Aktori Gene Hackman së bashku me bashkëshorten e tij Betsy Arakawa ndërsa arrijnë në ceremoninë e çmimeve 'Golden Globes' në Berverly Hills më 2003
Aktori Gene Hackman së bashku me bashkëshorten e tij Betsy Arakawa ndërsa arrijnë në ceremoninë e çmimeve 'Golden Globes' në Berverly Hills më 2003

Gene Hackman, aktori që fitoi dy herë çmimin ‘Oscar’ me një karrierë mbi 60-vjeçare, ka vdekur së bashku me gruan e tij, pianisten Betsy Arakawa dhe qenin e tyre në shtëpi, tha të enjten zyra e sherifit në Santa Fe të Nju Meksikos.

Deklarata nga sherifi tha se oficerët kishin gjetur aktorin 95-vjeçar dhe zonjën Arakawa, 64 vjeç, pa shenja jete të mërkurën pasdite.

“Momentalisht nuk kemi dyshime për ndonjë veprim të qëllimshëm në këto vdekje, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes nuk është përcaktuar. Zyra e Sherifit të qarkut Santa Fe po bën një hetim”, tha ai

Aktori Hackman, ish-marins dhe i njohur për zërin e tij të thellë, u shfaq në më shumë se 80 filma, si dhe në televizion dhe skenat e teatrit gjatë një karriere të gjatë që filloi në fillim të viteve 1960.

Ai siguroi emërimin e tij të parë për çmimin ‘Oscar’ për rolin e tij si vëllai i grabitësit të bankave Clyde Barrow në filmin “Bonnie and Clyde” të vitit 1967. Ai u emërua gjithashtu në kategorinë e aktorit më të mirë, jo në rolin kryesor, më 1971 për filmin “I Never Sang For My Father”.

Gene Hackman dhe aktorja Marisa Tomei
Gene Hackman dhe aktorja Marisa Tomei

Ishte roli i tij si Popeye Doyle, oficeri i Nju Jorkut që ndiqte trafikantët ndërkombëtarë të drogës në filmin e zhanrit thriller “The French Connection”, të regjisorit William Friedkin që konfirmoi statusin e tij si yll i njohur filmi dhe i siguroi çmimin e parë ‘Oscar’, për aktorin më të mirë.

Ai gjithashtu fitoi një tjetër çmim ‘Oscar’ për aktorin më të mirë, jo në rolin kryesor, në vitin1993 si një sherif i keq në filmin “Unforgiven” të zhanrit ‘western’ të regjisorit Clint Eastwood . Ai ishte nominuar për çmimin ‘Oscar’ edhe për rolin si agjent i FBI-së në dramën historike të vitit 1988 “Mississippi Burning”.

Aktori Hackman kishte aftësinë të luante role negative apo pozitive në ekran. Vetë aktori i tha gazetës ‘New York Times’ më 1989 se ka fytyrën e një “punëtori të zakonshëm të minierës”.


Problemet familjare


Aktori Gene Hackman lindi në San Bernardino të Kalifornisë, më 30 janar 1930. Familja e tij u zhvendos në Illinoi kur ai ishte fëmijë. Babai e braktisi familjen kur zoti Hackman ishte adoleshent. Aktori ka treguar se i kujtohej i ati duke e përshendetur me dorën lart teksa largohej me makinë. Ai thotë se instinktivisht e kishte kuptuar se i ati nuk do të kthehej më. Nëna e tij vdiq më vonë në një zjarr.

“Familjet jofunksionale kanë rritur jo pak aktorë shumë të mirë”, tha ai dikur.

Ai u bë marins në moshën 16-vjeçare, duke gënjyer për moshën e tij që të mund të rekrutohej dhe më vonë studioi gazetari në Universitetin e Illinoisit. Pasi punoi për një periudhë të shkurtër si teknik dhe administrator televiziv, ai studioi për aktrim në ‘Pasadena Playhouse’ në Kaliforni së bashku me aktorin Dustin Hoffman.

Të dy aktorët, të cilët u shpallën me më pak gjasa për të pasur sukses, u zhvendosën në Nju Jork, ku bënin punë të ndryshme, vazhdonin përpjekje për të siguruar role dhe u miqësuan me aktorin Robert Duvall karriera e të cilit gjithashtu nuk shkonte mirë.

Megjithatë, nderimet për aktrim me sa duket nuk kishin shumë rëndësi për aktorin Hackman. Në vitin 2011, ai i tha revistës ‘Time’ se nuk ishte i sigurt se ku ishin çmimet ‘Oscar’ që i kishte fituar.


I vlerësuar nga të gjithë


Mes kritikëve të artit aktori Hackman u lavdërua si një nga yjet e mëdhenj që nuk ishin vlerësuar sa ç’duhej. Ai megjithatë u kritikua për braktisjen e roleve të mira më të vogla në favor të roleve kryesore.

Ai pranoi se kishte një periudhë kur pranoi role kryesisht për shkak të pagesës, megjithatë ofroi interpretime mbresëlënëse si Lex Luthor, roli negativ në filmin “Superman” (1978).

Gene Hackman gjatë një interviste të 24 marsit 1972
Gene Hackman gjatë një interviste të 24 marsit 1972


Zoti Hackman doli në pension në të 70-at, duke thënë se rolet që iu ofruan ishin vetëm për gjyshër. Roli i tij i fundit me peshë ishte në komedinë e vitit 2004 “Welcome to Mooseport”.

“Më mungon pjesa e aktrimit pasi është ajo që kam bërë për gati 60 vjet dhe kjo vërtet më pëlqen”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters më 2008. “Por biznesi për mua është shumë stresues... dhe kishte arritur në një pikë ku thjesht nuk ndihesha sikur doja të vazhdoja”.

Ai jetoi në një zonë periferike të qytetit Santa Fe në Nju Meksiko. Aktori Gene Hackman ishte martuar dy herë dhe kishte tre fëmijë, Christopher, Elizabeth Jean dhe Leslie Anne, me ish-gruan e tij të parë, Faye Maltese, e cila vdiq më 2017. Ai u martua me pianisten Arakawa në vitin 1991.

XS
SM
MD
LG