Diplomatë amerikanë dhe ata rusë u takuan të enjten në Stamboll për bisedime rreth operacioneve të ambasadave të tyre përkatëse në Moskë dhe Uashington.
Takimi është i fundit në një sërë këmbimesh mes dy palëve, përfshirë një telefonatë në fillim të këtij muaji midis Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Përpjekjet për rikthimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi ishin pjesë e agjendës në bisedimet e javës së kaluar mes Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov.
Pas atyre bisedimeve në Riad, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se të dyja palët kishin rënë dakord të krijonin "një mekanizëm konsultimi për të trajtuar problemet në marrëdhëniet tona dypalëshe me objektivin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, për të normalizuar funksionimin e misioneve tona përkatëse diplomatike".
Marrëdhëniet diplomatike midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë keqësuar gjatë dekadës së fundit, me dëbime të ndërsjella diplomatësh.
Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.