Lidhje

Faza e parë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit përfundon gjatë fundjavës


Izraelitët gjatë një tubimi në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv për të përkujtuar familjen Bibas, më 26 shkurt, 2025 në ditën e varrimit të tyre/AFP
Izraelitët gjatë një tubimi në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv për të përkujtuar familjen Bibas, më 26 shkurt, 2025 në ditën e varrimit të tyre/AFP

Izraelitët i dhanë lamtumirën një nëne të re dhe dy fëmijëve të saj të vegjël, të cilët u vranë ndërsa po mbaheshin peng nga Hamasi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Tel Avivi, ceremonia mortore për ta u mbajt vetëm disa ditë para se faza e parë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hamas, të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, po shkon drejt fundit pa një plan se si do të vazhdohet në fazën e ardhshme.

Faza e parë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit përfundon gjatë fundjavës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Mijëra izraelitë u rreshtuan përgjatë rrugës për të nderuar kortezhin e Shiri Bibas dhe dy djemëve të saj të vegjël, të cilët u vranë gjatë kohës që po mbaheshin peng nga Hamasi. Shumë prej të pranishmëve mbanin në duar balona ngjyrë portokalli, simbol për fëmijët, flokët e të cilëve kishin këtë ngjyrë. Njëri prej tyre ishte katër vjeç, ndërsa tjetri 9 muajsh.

Mijëra të tjerë mbushën Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv për të përkujtuar viktimat, shumë prej të cilëve mbanin pankarta me mbishkrimin “Na falni” në hebraisht.

“Ndihemi si Shiri. Mund të kem qenë unë në vendin e saj. Mund të ketë qenë secila nga ne, çdo nënë. E pamundur ta përfytyroj si mund të ketë qenë sikur të mbaheshe peng me foshnjet e tua. As mund ta imagjinoj se çfarë ka kaluar ajo”, thotë Chen Bachar, njëra nga pjesëmarrëset në ceremoni.

Bashkëshorti dhe babai i pengjeve të vrara, Yarden Bibas, ishte në mesin e pengjeve të liruara para dy javësh nga Hamasi pasi ishte mbajtur për 500 ditë peng. Ai nuk dinte asgjë për fatin e familjes së tij deri në momentin kur u kthye në Izrael.

Ceremonia mortore, e mbushur me emocione, u mbajt vetëm disa ditë para se të përfundojë faza e parë e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit këtë fundjavë. Faza e dytë synon t’i japë fund luftës në Gazë, por negociatat për këtë fazë ende nuk kanë filluar.

Përkundër zemërimit të gjerë për vrasjen e familjes Bibas, shumica e izraelitëve përkrahin vazhdimin e negociatave, sipas analistëve izraelitë.

“Gjithë anketat e realizuara me publikun izraelit tregojnë një dëshirë të fortë për të vazhduar armëpushimin, të paktën derisa pengjet e mbetura, rreth 30 burra që janë ende gjallë, të lirohen, si dhe të kthehen trupat e pajetë të ushtarëve dhe pengjeve të tjera”, thotë profesorja e shkencave politike Sara Hirschhorn nga Universiteti i Haifës.

Por Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i është referuar vazhdimisht tragjedisë së familjes Bibas për të mbështetur rifillimin e luftës në Gazë.

“Vendi është i bashkuar në dhimbje dhe si Kryeministër i Izraelit zotohem se nuk do të ndalem derisa bishat që ekzekutuan pengjet tona të vihen para drejtësisë. Nuk e meritojnë të ecin në këtë tokë. Asgjë nuk do të mund të më ndalë”, deklaroi ai.

Analistët thonë se shumica e izraelitëve duan një marrëveshje armëpushimi me Hamasin deri në lirimin e të gjitha pengjeve. Por në një periudhë afatgjate, shumica e izraelitëve thonë se nuk duan që Hamasi të vazhdojë të ketë kontrollin mbi Gazën.

XS
SM
MD
LG