Një gjykatë në Sarajevë e dënoi të mërkurën presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik me një vit heqje lirie, nën akuzat se ka sfiduar vendimet e një zyrtari ndërkombëtar që mbikëqyr paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjykata vendosi poashtu një masë sigurie që parasheh ndalimin e ushtrimit të detyrës së presidentit të Republikës Serbe për gjashtë vjet, nga data kur vendimi bëhet i formës së prerë.
Milorad Dodik, udhëheqës i entitetit serb të Bosnjës u akuzua në vitin 2023 për nënshkrimin e ligjeve që pezullonin vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të dërguarit ndërkombëtar për paqen, Christian Schmidt.
Milorad Dodiku, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë, ka hedhur poshtë akuzat dhe ka paralajmëruar se një vendim dënues mund të çojë në vendimin e Republikës Serbe që të bllokojë punën e qeverisë qendrore dhe të tërhiqet nga gjyqësori shtetëror dhe forcat e armatosura të Bosnjës.
Ai kishte paralajmëruar më parë se dënimi i tij mund të çojë në shpërbërjen e vendit dhe formimin e një bashkimi dhe konfederate monetare me Serbinë fqinje.
Milorad Dodiku nuk u paraqit në gjykatë të mërkurën, por mori pjesë në një tubim protestues në Banja Llukë, kryeqytetin administrativ të Republikës Serbe.
"Ata thonë se jam fajtor, por tani njerëzit këtu do të thonë pse nuk jam fajtor", tha ai në një fjalim gjatë të cilit paralajmëroi miratimin e disa ligjeve të reja që do thellojnë autonominë gjyqësore të entitetit të tij.
Në Serbi, mediat proqeveritare raportuan se presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të mbajë një mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Milorad Dodiku është nën sanksionet amerikane dhe britanike për pengimin e marrëveshjes së paqes dhe kërcënimeve për shkëputjen e entitetit të tij.
Lufta e Bosnjës e viteve 1992-1995, la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë dhe miliona të zhvendosur. Një marrëveshje e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara që u arrit në vitin 1995 në Dejton, e ndau Bosnjën në dy rajone autonome: Republikën Serbedhe Federatën e përbashkët të kroatëve dhe boshnjakëve, të lidhur nga një qeveri qendrore në Sarajevë.
Të martën, Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt, i cili është në krye të mekanizmit ndërkombëtar në Bosnje që mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, kërkoi të siguronte qytetarët e Bosnjës se situata në vend do të mbetej e qëndrueshme.
Milorad Dodiku është përplasur vazhdimisht me zotin Schmidt dhe i ka shpallur vendimet e tij të paligjshme në Republikën Serbe.
Sipas Marrëveshjes së Dejtonit, përfaqësuesi i lartë të mund të imponojë vendime dhe të ndryshojë ligjet në vend.