Lidhje

SHBA: Veprimet e pa bashkërenduara në veri të Kosovës - mund të krijojnë pasoja negative në marrëdhëniet dypalëshe


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu të dielën shqetësimin për siç tha mbylljen e papritur dhe të pabashkërenduar të zyreve për Punë Sociale të Serbisë në veri të Kosovës, një veprim që siç u tha mund të dëmtoj marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

SHBA: Veprimet në veri të Kosovës mund të ndikojnë marrëdhëniet dypalëshe
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:47 0:00

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, ambasada amerikane tha se “këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht në mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”.

Reagimi i ambasadës pasoi operacionin e së premtes të policisë së Kosovës e cila mbylli katër degë të Qendrës për Punë Sociale të Serbisë që vepronin në veri të vendit, nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve dhe ndikim të votuesve në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Policia tha se aksioni pasoi arrestimin e katër zyrtarëve të kësaj qendre në Zubin Potok me 8 shkurt, nën dyshimin për veprën “cenim i vullnetit të votuesve”.

Sipas policisë zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, dyshohet se nëpërmjet kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar qytetarët se si të votojnë, duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike”.

Aksioni i policisë nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët e vlerësuan atë përshkallëzues ndërsa kërkuan reagim ndërkombëtar për të dënuar siç u tha “këto lëvizje që rrezikojnë jetën e mijëra përdoruesve të përfitimeve sociale”.

Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi fitoi shumicën e votave të serbëve në zgjedhjet parlamentare të mbajtura gati dy javë më parë në Kosovë. Kjo listë po synon të mbajë 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në parlamentin e Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në raportin vlerësues për procesin e zgjedhjeve tha se shumë bashkëbisedues raportuan për trysni nga anëtarët e Listës Serbe ndaj votuesve dhe se kishte ndërhyrje të hapur dhe të përsëritur nga Serbia.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit shënuan edhe rikthimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në proceset zgjedhore në Kosovë pas bojkotimit të disa proceseve të kaluara si zgjedhjet e fundit lokale.

XS
SM
MD
LG