Një zyrtare e lartë e agjencisë amerikane e taksave (IRS) i tha personelit të enjten se rreth 6,000 punonjës do të pushohen nga puna, sipas një personi me dijeni për këtë çështje. Vendimi do të eliminonte afërsisht 6% të fuqisë punëtore të kësaj agjencie ndërsa stafi i agjencisë vazhdon të merret me sezonin e ngarkuar të regjistrimit të taksave.
Reduktimi i personelit është pjesë e përpjekjes gjithëpërfshirëse të Presidentit Donald Trump për tkurrjen e qeverisë federale. Këto përpjekje kanë prekur rregullatorët e bankave, punonjësit e agjencisë për mbrojtjen e pyjeve, shkencëtarët e raketave dhe dhjetëra mijëra punonjës të tjerë të qeverisë. Përpjekja drejtohet nga miliarderi Elon Musk, donatori më i madh i fushatës zgjedore për president të zotit Trump.
Zoti Musk ishte në skenë në Konferencën Konservatore të Veprimit Politik në Merilend, kur presidenti argjentinas Javier Milei, i njohur për përdorimin e një sharre elektrike për të ilustruar politikat e tij drastike për uljen e shpenzimeve qeveritare, i dorëzoi një të tillë.
“Kjo është sharrë për burokracinë”, tha zoti Musk, ndërsa e mbante sharrën lart.
Sindikatat kanë bërë disa padi në përpjekje për të ndalur shkarkimet masive, sipas të cilave dhjetëra mijëra punëtorëve federalë u është thënë se nuk kanë më punë. Megjithatë, një gjykatës në Uashington të enjten vendosi se ato mund të vazhdojnë, tani për tani.
Christy Armstrong, drejtoreshë për punësimet te IRS, u përlot ndërsa u tha punonjësve në një telefonatë se rreth 6,000 kolegë të tyre do të pushohen nga puna dhe i inkurajoi ata të mbështesin njëri-tjetrin, tha një punonjës që ishte i pranishëm.
“Ajo ishte shumë e emocionuar”, tha ai.
Në tërësi pushimet nga puna në këtë agjenci pritet të arrijnë në 6,700, sipas një personi që ka njohuri me këtë çështje. Grupi i punonjësve që do të pushohet nga puna janë kryesisht të punësuarit nën Presidentin demokrat Joe Biden. Presidenti Biden kishte qëllim të zgjeronte përpjekjet për mbledhjen e taksave nga të pasurit. Republikanët e kanë kundërshtuar zgjerimin e agjencisë, duke argumentuar se do të çonte në politika të ashpra ndaj amerikanëve të zakonshëm.
Agjencia e taksave tani punëson afërsisht 100,000 njerëz, krahasuar me 80,000 para se zoti Biden të merrte detyrën më 2021.
Analistët e pavarur të buxhetit kishin vlerësuar se zgjerimi i personelit nën Presidentin Biden do të ndihmonte për të rritur të ardhurat e qeverisë dhe për të ndihmuar në ngushtimin e deficiteve buxhetore prej triliona dollarësh.
“Kjo do të ndikojë që IRS-i të mos ndjekë të pasurit dhe të jetë vetëm një agjenci që është me të vërtetë e përqendruar në të ardhurat e ulëta”, tha profesori i ligjit tatimor në Universitetin e Pitsburgut, Philip Hackney, ish avokat në IRS. “(Pushimet nga puna) janë absurde”.
Të shkarkuarit përfshijnë punonjës së taksave, punonjës të shërbimit ndaj klientit, specialistë që merren me ankesat e mosmarrëveshjeve tatimore dhe punonjës të Teknologjisë Informative. Pushimet nga puna janë bërë në zyrat e agjencisë në të 50 shtetet, thanë burimet. Agjencia IRS nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
IRS ka vendosur për një qasje më të kujdesshme ndaj zvogëlimit të stafit sesa agjencitë e tjera, duke qenë se është në mes të sezonit të shqyrtimit të taksave të amerikanëve. Agjencia do të përpunojë më shumë se 140 milionë dokumente taksash deri në afatin e fundit më 15 prill dhe do të mbajë disa mijëra punëtorë që vlerësohen me rëndësi kritike për atë detyrë, tha një burim.
Pushimet nga puna të punonjësve federalë të administratës Trump janë të përhapura në gjithë qeverinë, dhe përfshijnë ata që nuk ka shumë kohë që kanë filluar punë dhe kanë më pak mbrojtje sesa punonjësit me mandat më të sigurt.
Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë po përgatitet gjithashtu të pushojë nga puna drejtuesit e Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara dhe të përfshijë agjencinë e pavarur brenda Departamentit të Tregtisë, njoftoi të enjten gazeta ‘Washington Post’.
Në pritje të emailit të shkarkimit
Në zyrën e IRS-së në Kansas City, punonjësit që nuk ka shumë kohë që janë punësuar kuptuan se të gjitha funksionet ishin çaktivizuar në kompjuterët e tyre, përveç emailit, i cili do të dërgonte njoftimet për pushimin nga puna, tha Shannon Ellis, drejtuese e sindikatës lokale.
“Ajo që populli amerikan duhet të kuptojë është se fondet që mblidhen përmes IRS-së financojnë kaq shumë programe që ne përdorim çdo ditë në shoqërinë tonë”, tha zonja Ellis për agjencinë e lajmeve ‘Reuters’.
Shtëpia e Bardhë nuk ka thënë se sa prej 2.3 milionë punonjësve të shërbimit civil të vendit dëshiron të pushojë nga puna dhe nuk ka dhënë numra për pushimet masive nga puna. Rreth 75,000 veta pranuan ofertën për largim vullnetar nga puna në këmbim të marrjes së pagave deri në muajin shtator, që iu bë nga qeveria javën e kaluar.
Republikanët janë të kënaqur me fushatën e shkurtimeve në qeverinë federale që ata e shohin si të fryrë, të korruptuar dhe jo mjaftueshëm besnikë ndaj Presidentit Trump, ndërsa synojnë gjithashtu agjencitë qeveritare që rregullojnë bizneset e mëdha, përfshirë ato që mbikëqyrin kompanitë e zotit Musk ‘SpaceX’, ‘Tesla’ dhe ‘Neuralink’.
Njësia e vogël brenda Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada që rregullon llojin e makinave autonome që zoti Musk thotë se janë e ardhmja e ‘Tesla-s’, po humbet gati gjysmën e stafit të saj, raportoi gazeta ‘The Washington Post’, të enjten.
Ekipi i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë që drejtohet nga zoti Musk ka anuluar gjithashtu kontratat me vlerë rreth 8.5 miliardë dollarë që përfshinin ndihmën për botën e jashtme, trajnimet për diversitetit dhe nisma të tjera të kundërshtuara nga zoti Trump. Presidenti dhe zoti Musk kanë vendosur synimin për të shkurtuar të paktën 1 trilion dollarë nga buxheti federal prej 6.7 trilion dollarësh, megjithëse Presidenti Trump ka thënë se nuk do të prekë programet e përfitimeve popullore që përbëjnë afërsisht një të tretën e këtij totali.
Kritikët demokratë kanë thënë se Presidenti Trump po tejkalon autoritetin e tij kushtetues dhe po shkatërron programet me rëndësi kritike të qeverisë në kurriz të një mori familjesh të klasës së mesme.
Shumica e amerikanëve shqetësohen se ulja e shpenzimeve federale mund të dëmtojë shërbimet qeveritare, sipas një sondazhi të ‘Reuters/Ipsos’, të publikuar të enjten.
Disa agjenci kanë pasur vështirësi të përmbushin direktivat e shumta të Presidentit Trump që ka nënshkruar që nga marrja e detyrës një muaj më parë. Punëtorët që mbikëqyrin armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara u pushuan dhe më pas u kthyen në punë, ndërsa barnat dhe eksportet e ushqimit janë bllokuar në depo nga ngrirja e ndihmës për botën e jashtme nga Presidenti Trump.