Lidhje

Pasojat e mundshme të tarifave ndaj çelikut dhe aluminit tek bizneset e vogla amerikane


Bizneset e vogla amerikane janë në pritje të efekteve të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për vendosjen e tarifave prej 25% ndaj importeve të çelikut dhe aluminit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn, disa biznese druhen se një rritje e çmimeve të produkteve të importuara mund t’i dëmtojë ato.

Pasojat e mundshme të tarifave ndaj çelikut dhe aluminit tek bizneset e vogla amerikane
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Punonjësit në kompaninë “Temescal Brewing” në Oakland të Kalifornisë mbushin 6000 kanaçe alumini me birrë në ditë.

Muajin e ardhshëm, këto kanaçe mund të jenë më të shtrenjta.

Presidenti Donald Trump nënshkroi kohët e fundit një urdhër ekzekutiv për rritjen e tarifave për importet e çelikut dhe aluminit. Alumini i importuar do të përballet me një tarifë prej 25%, nga norma e tanishme prej 10%, e vendosur gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump. Importet e çelikut do të përballen gjithashtu me një tarifë minimale prej 25% dhe Presidenti Trump ka thënë se nuk do të përjashtonte asnjë vend nga kjo tarifë.

“Ky është fillimi për t’i bërë amerikanët sërish të pasur”, tha ai.

Administrata e Presidentit Trump synon të nxisë prodhimin në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në industrinë e çelikut dhe aluminit, të cilat janë përballur me çmimet e ulëta nga importi i këtyre produkteve. Rreth një e katërta e çelikut të përdorur në Shtetet e Bashkuara importohet, pjesa më e madhe e tij nga Kanadaja dhe Meksika. Shtetet e Bashkuara importojnë gjithashtu rreth gjysmën e aluminit të saj, kryesisht nga Kanadaja.

Por industritë e tjera thonë se mund të duhet të paguajnë çmime më të larta ndërkohë që prodhimi vendas i çelikut dhe aluminit rritet me shpejtësi.

“Ne mund të shohim një rilindje për Kaliforninë dhe industrinë amerikane të çelikut dhe aluminit, që do të ishte një gjë shumë e mirë për ekonominë tonë. Ndikimet negative ndihen nga të gjithë të tjerët”, thotë Lance Hastings nga Shoqata e Prodhuesve dhe Teknologjisë në Kaliforni.

Kjo mund të përfshijë rritjen e kostove në shumë industri, thotë eksperti Lance Hastings.

“Çeliku dhe alumini janë të nevojshme në shumë industri, përfshirë industritë e ndërtimit, fabrikat në përgjithësi dhe industrinë e prodhimit të makinave. Ne kemi nevojë për këto produkte në jetën tonë të përditshme”, thotë zoti Hastings.

Kompania “Temescal Brewing” është e përqendruar në mbushjen e kanaçeve me birrë dhe shitjen e saj në dyqane. Gjatë dekadës së fundit, birra, që dikur shpërndahej kryesisht në shishe qelqi, filloi të shpërndahej në ato prej alumini. Për këtë arsye fabrikat e birrës mund të ndikohen nga tarifat.

“Tarifat e larta mund të çojnë në mbylljen e fabrikave të vogla të birrës. Kjo nuk është një gjë e mirërpritur për ne”, thotë zoti Hastings.

Kjo fabrikë e vogël birre është pjesë e një ekosistemi tregtar global. Për shembull, elbi i zbutur importohet nga Kanadaja. Mundësia e një lufte më të madhe tregtare shqetëson shefin e saj ekzekutiv.

“Këto gjëra na trembin, sepse tashmë jemi përballur me disa vështirësi të mëdha. Tani nëse jemi të detyruar të ndryshojmë papritur zinxhirin tonë të furnizimit, do të rritej kostoja dhe kjo do të kërcënonte kompaninë tonë”, thotë Brandon Borgel, shef ekzekutiv i kompanisë “Temescal Brewing”.

Tarifat e Shteteve të Bashkuara ndaj importeve të çelikut dhe aluminit pritet të hyjnë në fuqi më 12 mars.

XS
SM
MD
LG