Policia e Kosovës tha të premten se ka mbyllur katër degë të Qendrës për Punë Sociale të Serbisë që vepronin në veri të vendit, nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve dhe ndikim të votuesve në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Policia tha se aksioni pasoi arrestimin e katër zyrtarëve të kësaj qendre në Zubin Potok me 8 shkurt, nën dyshimin për veprën “cenim i vullnetit të votuesve”.
Sipas policisë zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, dyshohet se nëpërmjet kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar qytetarët se si të votojnë, duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike”.
Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Leposaviç, Natasha Nastiç tha se policia ka sekuestruar dokumentacionin e qendrës.
“Ne nuk do të dorëzohemi, do të kërkojmë një mënyrë për t'i shërbyer popullit tonë, por tani do të jetë shumë më e vështirë. Kjo nuk është goditje për punëtorët e qendrës për punë sociale, kjo është një goditje për kategoritë më të cenueshme të popullatës që jetojnë në komunën e Leposaviqit”, tha ajo.
Aksioni i policisë ngjalli reagimin e Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë e cila e quajti atë përshkallëzues ndërsa akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se “ka goditur drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe më të rrezikuara të serbëve".
Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se ky sulm ka për qëllim edhe të pengojë fitoren e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.
Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës e dënoi ashpër aksionin e policisë duke e quajtur “veprimtari të paligjshme dhe antiserbe”, ndërsa kërkoi reagim ndërkombëtar për të dënuar siç u tha “këto lëvizje të përshkallëzuara që rrezikojnë jetën e mijëra përdoruesve të përfitimeve sociale”.
Lista Serbe që mbështetët nga Beogradi fitoi shumicën e votave të serbëve në zgjedhjet parlamentare të mbajtura gati dy javë më parë në Kosovë. Kjo listë po synon të mbajë 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në parlamentin e Kosovës.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në raportin vlerësues për procesin e zgjedhjeve tha se shumë bashkëbisedues raportuan për trysni nga anëtarët e Listës Serbe ndaj votuesve dhe se kishte ndërhyrje të hapur dhe të përsëritur nga Serbia.