Administrata e Presidentit Donald Trump ka pezulluar disa programe të posaçme për disa grupe emigrantësh.
Në bazë të vendimit agjencia federale ‘Shërbimet për Shtetësi dhe Emigracion të Shteteve të Bashkuara’ (USCIS) ka ndaluar shqyrtimin e kërkesave për qëndrim të përhershëm të emigrantëve që hynë në Amerikë duke përfituar nga këto programe. Ndalimi ndikon në rastet e atyre që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara përmes programeve si “Uniting for Ukraine” (U4U), programi “Cubans, Haitians, Nicaraguans and Venezuelans (CHNV) dhe programin për bashkim familjar (FRP).
Një zyrtar i tha Zërit të Amerikës përmes postës elektronike se arsyeja e pezullimit ishte rishikimi i programeve për shkak të rreziqeve ndaj sigurisë së vendit.
“Vendimi ka lidhje me përfundimin e hetimeve shtesë për të identifikuar mashtrimet dhe shqetësimet mbi rrezikun ndaj sigurisë publike dhe asaj kombëtare”, tha në kushte anonimiteti për Zërin e Amerikës një zyrtar i Departamentit amerikan për Sigurinë Kombëtare.
Këto programe për emigrantët filluan gjatë administratës së Presidentit Joe Biden si pjesë e një përpjekjeje për të frenuar migrimin e parregullt duke ofruar rrugë ligjore për grupe të caktuara. Degës ekzekutive të pushtetit iu dha ky autoritet nga Kongresi më 1952, duke i lejuar presidentit të pranojë individë në Shtetet e Bashkuara për arsye urgjente humanitare.
Rreth 530,000 shtetas nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela u lejuan të hynin në Shtetet e Bashkuara nën programin CHNV. Për më tepër, rreth 350,000 amerikanë ofruan ndihmë për hyrjen në Shtetet e Bashkuara të rreth 240,000 ukrainasve përmes programit ‘U4U’, sipas rrjetit amerikan ‘CBS News’.
Përfituesit e çdo programi humanitar për emigrantët duhej të plotësonin të gjitha kërkesat e programit. Këto përfshinin të siguronin një shtetas amerikan që t’u ofronte mbështetje financiare, të kalonin verifikimin e sigurisë dhe të plotësonin kërkesat për vaksina. Ata gjithashtu duhej të paguanin shpenzimet e tyre të udhëtimit nëse merrnin autorizim udhëtimi nga qeveria amerikane.
Këto programe mundësuan që aplikantët e miratuar të jetonin dhe të punonin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara përkohësisht, por kjo nuk çonte deri te një qëndrim i përhershëm.
Administrata Trump tani kërkon verifikim shtesë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të siguruar integritetin e sistemit të imigracionit, sipas zyrtarit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Administrata Trump nuk ka dhënë detaje se çfarë e nxiti këtë rishikim ose sa kohë mund të zgjasë.
Nuk do të ketë largim të detyrueshëm të këtyre emigrantëve
Kathleen Bush-Joseph, analiste politikash në Institutin e Politikave të Migracionit, shkroi në rrjetin social ‘X’ se pavarësisht këtij pezullimi, njerëzit “nuk mund të dëbohen pa një urdhër largimi”.
Ndalimi nuk ndikon mbi të drejtën e kubanezëve të përfitojnë nga një program tjetër që iu mundëson atyre të aplikojnë për qëndrim të përhershëm pas një viti qëndrimi në Shtetet e Bashkuara.
Haitianët gjithashtu mund të kualifikohen për statusin e përkohshëm të mbrojtur, i cili u siguron të drejtë pune. Së bashku me shtetasit e Nikaraguas, ata kanë mundësinë të aplikojnë për azil. Sidoqoftë, duhet të demonstrojnë me fakte se kanë frikë nga persekutimi në vendet e tyre të origjinës bazuar në racë, fe, kombësi, grup shoqëror ose qëndrim politik.
Venezuelianët në Shtetet e Bashkuara ende mund të aplikojnë për azil. Megjithatë, administrata Trump i dha fund një programi që u krijon mundësinë të aplikojnë për rregullimin e statusit të migracionit, krijuar në vitin 2023 për qindra mijëra venezuelas, duke vendosur që ta lërë atë të skadojë më 7 prill 2025.
Ata që zgjedhin të kërkojnë azil duhet të tregojnë me dëshmi se janë të rrezikuar nga persekutimi në vendet e tyre të origjinës mbështetur në racën, fenë, kombësinë, anëtarësimin në një grup të caktuar shoqëror ose qëndrimin politik.
Programi i ndaluar tani për bashkim familjar, i krijuar fillimisht për Haitianët dhe Kubanët, u zgjerua në gusht të vitit 2023 për të përfshirë shtetas nga Kolumbia, El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi.
Programi lejon personat që kanë marrë viza për bashkim familjar të hyjnë dhe të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara ndërsa presin miratimin e kërkesës për kartën e gjelbert, apo qëndrimin e përhershëm.
Aktivistët për çështjet e migrantëve paralajmërojnë se pezullimi i këtyre programeve rrezikon vonesa të shtuara në trajtimin e aplikacioneve të emigrantëve.
Iryna Mazur, konsulle nderi e Ukrainës në Pensilvani dhe avokate për çështjet e emigracionit, i tha Zërit të Amerikës se pavarësisht pezullimit të programit, ligjet e emigracionit mbetën në fuqi.
“Ajo që ky pezullim nënkupton është se nga sot ne presim vonesa të gjata në shqyrtimin e të gjitha aplikacioneve”, thotë ajo.
Çfarë pritet më tutje?
Administrata nuk e thotë se kur do të vazhdojë shqyrtimi i aplikacioneve.
Mbetët e paqartë nëse ata që shfrytëzuan programet tanimë të pezulluara duhet të aplikojnë sërish apo nëse rastet e tyre tani të mbajtura pezull do të shqyrtohen në ndonjë kohë tjetër. Ky vendimi i administratës Trump pritet të përballet me padi dhe kundërshtime nga organizatat që mbështesin emigrantët.
“Jam tërësisht e bindur se komuniteti ligjor që merret me emgrantët në Shtetet e Bashkuara do të reagojë si duhet”, shtoi zonja Mazur.
Për këtë artikull kontribuan gazetarja e Zërit të Amerikës Iryna Shynkarenko, nga shërbimi në gjuhën ukrainase dhe Salome Ramirez Vargas nga shërbimi në gjuhën spanjolle.