Lidhje

Media: 4 ndihmës të kryebashkiakut të Nju Jorkut pritet të japin dorëheqjen


Katër ndihmës të kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams planifikojnë të japin dorëheqjen në ditët në vazhdim, një tërheqje e mbështetjes për kryebashkiakun pasi Departamenti i Drejtësisë kërkoi rrëzimin e akuzave penale kundër zotit Adams, raportuan mediat lokale të hënën.

Përpjekja për të pushuar akuzat kundër zotit Adams kanë nxitur një sërë dorëheqjesh në Departamentin e Drejtësisë nga zyrtarë të cilët refuzuan të zbatonin vendimin për rrëzimin e akuzave, të cilat ishin konfirmuar më herët në një aktakauzë të jurisë së madhe.

Agjencia Reuters nuk mundi të konfirmonte raportimet e televizionit WNBC dhe gazetës “New York Times” se katër nënkryetarë bashkie synonin gjithashtu të jepnin dorëheqjen.

Përfaqësuesit e zyrës së zotit Adams nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment, por një zëdhënës i tha televizionit WNBC dhe gazetës “New York Times” se askush nuk kishte dhënë ende dorëheqjen.

Zoti Adams zhvilloi të dielën një takim në internet me të paktën tre nënkryetarë bashkie, të cilët shprehën synimet e tyre për të dhënë dorëheqjen nga administrata e tij, raportoi WNBC, duke cituar dy burime të njohura me këtë çështje.

Qëllimi i takimit ishte të bindte ndihmësit e lartë që të vononin çdo vendim për largimin, gjë që mund të dobësonte pozitën e kryetarit të bashkisë ndërsa ai i reziston thirrjeve që të jape dorëheqjen, raportoi televizioni WNBC.

Zoti Adams i zgjedhur në vitin 2022, ka qenë nën trysni për të dhënë dorëheqjen që kur prokurorët federalë ngritën një padi penale shtatorin e kaluar me akuzat se kishte përfituar udhëtime nga zyrtarët turq dhe donacione politike nga të huajt në këmbim të ndërmarrjes së veprimeve në dobi të Turqisë.

Kryebashkiaku Adams i cili ka deklaruar se është i pafajshëm, ka mohuar çdo shkelje dhe ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen.

XS
SM
MD
LG