Një azilkërkues sirian i dyshuar për kryerjen e një sulmi vdekjeprurës me thikë në qytetin austriak Villach besohet të jetë një përkrahës i Shtetit Islamik i cili u radikalizua në internet, thanë autoritetet të dielën. Një 14-vjeçar u vra në sulmin e së shtunës dhe pesë persona të tjerë u plagosën, tha policia në një konferencë shtypi.
Ministri i Brendshëm Gerhard Karner tha se 23-vjeçari sirian i arrestuar menjëherë pas sulmit ishte radikalizuar për një kohë të shkurtër në internet dhe se në banesën e tij ishte gjetur flamuri i Shtetit Islamik. Autoritetet thanë se ai ishte betuar për besnikëri ndaj ISIS-it.
Sulmi në Villach pasoi parandalimin e një komploti në gusht për të kryer një sulm vetëvrasës në një koncert të Taylor Swift në Vjenë nga një adoleshent që ishte betuar për besnikëri ndaj ISIS-it.
Ngjarja e së shtunës erdhi gjithashtu vetëm disa ditë pas një sulmi të enjten në Mynih të Gjermanisë fqinje nga një shtetas afgan, i cili përplasi makinën e tij në një turmë, duke plagosur dhjetëra njerëz, dy prej të cilëve më pas vdiqën.
Sulmi ndodh në një kohë tensioni politik në Austri, ku Partia e Lirisë (FPO) e ekstremit të djathtë - e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të shtatorit - tha javën e kaluar se nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri koalicioni. Partitë e qendrës tani po diskutojnë nëse mund të përpiqen të formojnë një qeveri ndërsa presidenti shqyrton opsionet, pa përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohëshme.
Kundërshtimi i imigracionit të paligjshëm dhe premtimi për të rritur deportimet në vende të tilla si Siria dhe Afganistani, gjë që aktualisht është e paligjshme, janë në qendër të platformës së FPO-së dhe partia reagoi ndaj sulmit në Villach, duke u bërë jehonë pikërisht këtyre qëndrimeve.
“Asnjë emigrant nuk do të ishte në gjendje të kryente vrasje apo ndonjë krim tjetër në vendin tonë nëse nuk do të ishte fare në Austri”, tha kreu i FPO-së Herbert Kickl në një deklaratë të postuar në mediat sociale.