Lidhje

Prokurorja e Manhatanit jep dorëheqjen pasi refuzon urdhrin që të pushojë çështjen kundër Kryebashkiakut të Nju Jorkut


Fotografi arkivi e Kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams/AP
Fotografi arkivi e Kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams/AP

NJU JORK – Prokurorja kryesore federale në Manhatan dha dorëheqjen të enjten pasi Departamenti i Drejtësisë e urdhëroi që të tërheqë akuzat për korrupsion ndaj kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams.

Dorëheqja e republikanes Danielle Sassoon, e cila shërbeu si prokurore e përkohshme në qarkun jugore të Nju Jorkut, u konfirmua nga një zëdhënëse.

Dorëheqja e saj vjen disa ditë pasi një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i udhëzoi prokurorët e Nju Jorkut ta pushojnë rastin kundër kryebashkiakut Adams, i cili akuzohet se ka pranuar kontribute të jashtëligjshme për fushatën e tij zgjedhore dhe ryshfete në formë të udhëtimeve falas apo me kosto të reduktuar nga persona që donin të blinin ndikimin e tij.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm në detyrë Emil Bove përmes një shkrese të hënën tha se rasti ndaj kryebashkiakut demokrat Adams, duhet të pushohet në mënyrë që ai të ndihmojë në fushatën kundër imigracionit të Presidentit Donald Trump dhe të kandidojë për t’u rizgjedhur.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për të komentuar këtë zhvillim. As avokati i zotit Adams nuk reagoi.

Vendimi i Departamentit të Drejtësisë për të hequr dorë nga rasti për shkak të konsideratave politike e jo varësisht nga fuqia e provave, shkaktoi shqetësime tek disa prokurorë karriere të cilët e konsiderojnë atë si shmangie ndaj normave tradicionale.

Ndërsa zoti Bove udhëzoi që rasti të pushohet sa më parë që të jetë “pratike”, për ditë të tëra nuk pati prononcim publik apo ndonjë veprim nga ekipi i prokurorisë në Nju Jork.

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara Pam Bondi tha të mërkurën se ajo do “të shqyrtojë” se përse akuzat ende nuk janë hedhur poshtë.

Prokurorja Sassoon, ish ndihmëse e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë Antonin Scalia, i cili ishte pjesëtar i Shoqërisë Federaliste, një grup konservator, nuk ishte prokurorja e cila ngriti padinë ndaj zotit Adams vitin e kaluar. Prokurori që e ngriti aktakuzën ishte ish Prokurori Damian Williams, i cili dha dorëheqjen pas fitores zgjedhore të zotit Trump.

Zonja Sassoon u caktua për të shërbyer si prokurore në detyrë më 21 janar, ditën kur zoti Trump filloi mandatin.

XS
SM
MD
LG